Miratohet ligji që detyron qeverinë të ulë borxhin

borxhi-905x395

Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet në ligjin e menaxhimit të buxhetit sipas të cilave kufizohet niveli i borxhit deri në uljen e tij. Ligji detyron qeverinë të ulë borxhin publik në 40% nga 69.2% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar që është aktualisht. Të ardhurat për uljen e borxhit do të sigurohen nga privatizimet.

Ligji, i cili është një prej më të rëndësishmëve për financat publike, ndalon gjithashtu shpenzimin paraprak të parave nga buxheti. Ndryshimet u miratuan me votat e pozitës dhe opozitës, pavarësisht debatit mes të dyja palëve.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se ligji kufizon të drejtat e Qeverisë dhe i jep mundësi Ministrit të Financave të veprojë për të ulur borxhin dhe deficitin. Por deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, u shpreh se realizimi i objektivit është i vështirë dhe ligji nuk do të ketë rezultat.

Debati mes deputetëve preku edhe fushën e investimeve të cilat u quajtën nga opozita si shpenzime të panevojshme.

 

 

Pin It