“Mos”, një film triptik për korrupsionin në polici

film

Regjisorët e rinj shqiptarë, që u përfaqësuan në Festivalin e Filmit në Kanë, sjellin këtë herë një film të një zhanri të veçantë. Kreshnik Saraçi, Suela Bako dhe Ergys Meta po punojnë për realizimin e një filmi triptik të titulluar “Mos”.

Filmi me metrazh të gjatë është i përbërë nga tre filma me metrazh të shkurtër, rreth 30 minuta, që i përkasin secilit nga regjisorët e rinj. Në qendër të filmit është tematika e korrupsionit në polici e cila është trajtuar e ndarë në tre filma të shkurtër.

Roli i oficerit të policisë në këtë film interpretohet nga aktori i njohur kosovar Afrim Muçaj, i cili është shprehur se ky rol është i ndryshëm nga rolet e tjera që ka interpretuar deri tani.

Kreshnik Saraçi, Ergys Meta dhe Suela Bako janë ndër regjisorët e rinj shqiptare me më shumë sukses në këto vitet e fundit. Ashtu si disa projekte të tjera të ndërmarra nga këta regjisorë, edhe ky film është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

“Mos” pritet të jetë gati për të realizuar premierën në muajin shtator.

Pin It