Kompensimi i pronave, javën e ardhshme publikohet vlera ekonomike

pronat_1

Agjencia e Trajtimit të Pronave parashikon përshpejtimin e procesit të kompensimit të pronarëve sipas ligjit të ri. Drejtoresha e ATP, Sonila Qato, tha se nga fillimi i javës së ardhshme do të bëhet e ditur vlera ekonomike e kompensimit të pronarëve për vendimet e viteve 1993-1994.

Sipas Qatos vlera ekonomike e kompensimit do të vlerësohet sipas llojit të truallit në momentin e shpronësimit dhe sipas çmimit të tregut në ditët e sotme. Kështu përcakton ligji i ri për trajtimin e pronave i cili favorizon pronarët që marrin për herë të parë kompensim.

Megjithatë drejtoresha e ATP tha se, edhe pronarëve që janë kompensuar pjesërisht deri tani, do t’iu jepet diferenca e mbetur sipas vlerësimit që bën ligji i ri.

ATP do të respektojë rendin kronologjik të aplikimeve dhe vendimeve të dhëna nga gjykatat, ndërsa drejtoresha Qato thotë se vetëm muajt e fundit ka patur 4 mijë aplikime të reja për njohje të pronësisë.

Deri tani, në 20 vjet më pak se 900 pronarë janë kompensuar, ndërsa mbi 22 mijë aplikantë presin vendimin për kompensimin ekonomik ose fizik të pronës së tyre.

Pin It