Ligj i ri për mbrojtjen e fëmijëve, Klosi: Mësuesit apo punonjësit socialë dhunues nuk do të lejohen të punësohen as në privat

Blendi-Klosi-4-640x407

Nëse faktohet dhuna ndaj një të mituri, familjarët do të humbasin kategorikisht të drejtën e prindërimit, ndërsa fëmija do të merret automatikisht në kujdestari nga shteti, pavarësisht refuzimit të prindërve. Ky është vetëm një prej propozimeve që parashikohen në projektligjin e ri për “Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, të hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me aktorët e tjerë socialë që operojnë në vend, në kuadër të fushatës “Unë mbroj fëmijët”, por sidomos në ndihmë të parandalimit të ngjarjeve të rënda të publikuara së fundmi, që dëshmojnë për dhunën që ushtrohet ndaj fëmijëve në qendrat e përkujdesit social, në shkolla apo ambiente të tjera publike.

Me qëllim përforcimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe ashpërsim e penaliteteve për dhunimin, abuzimin dhe neglizhimin e fëmijëve, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi se ligji e ri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve përbën një nga momentet më të rëndësishme të një transformimi të plotë dhe rrënjësor të përpjekjes së përbashkët për të qenë më pranë mbrojtjes, jo vetëm për fëmijët me problematika, që janë pre apo viktima të dhunës dhe që kërkojnë mbështetje nga shteti, por edhe për të siguruar një sistem mbrojtjeje për të gjithë fëmijët.

“Për këtë arsye, pas shumë konsultimesh me shumë grupe të interesit, dua të prezantoj me ju projektin tonë të parë për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve. Qëllimi ynë i parë është ndryshimi i mentalitetit, krijimi i një mentaliteti që pranon që dhuna ndaj fëmijëve nuk është diçka normale. Vetëm duke kuptuar se ku nuk funksionon sistemi, ne mund ta përmirësojmë atë. Prandaj po monitorojmë dhe po kontrollojmë të gjitha qendrat rezidenciale dhe jo rezidenciale për mbrojtjen e fëmijëve dhe gjithë institucionet. Për këtë arsye kemi ngritur një task-forcë me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Punës, Shërbimit Social Shtetëror, punonjësve socialë në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale”, u shpreh Klosi, gjatë prezantimit të projektligjit të ri “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

“Së pari, në çdo bashki do të ketë 1 punonjës të mbrojtjes sociale për 3000 fëmijë, nga 30 që janë sot efektiv; Së dyti, këta punonjës do të kenë mandatin të marrin masa mbrojtëse ndaj fëmijëve që janë në rrezik abuzimi, shfrytëzimi, apo neglizhimi. Duke përfshirë edhe masat e menjëhershme, nëse fëmijët janë në rrezik të lartë; Së treti, nëse fëmija merret në mbrojtje, e drejta e prindërimit do të ndërpritet, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Me këtë mbyllim një hendek të madh ligjor, pasi deri më tani ka qenë e pamundur të merrej fëmija në mbrojtje nëse prindi nuk është dakord”, tha ministri i Mirëqenies Sociale. Së katërti, sipas tij, ligji detyron bashkitë të krijojnë një shërbim gatishmërie të punonjësve socialë 24 orë në 7 ditë, që kurdo që njoftohet një rast emergjent, policia të mos ndërhyjë vetëm, por me punonjës socialë, një mangësi e madhe aktuale, kur ndërhyhet jashtë orarit zyrtar nga policia.

“Së pesti, ligji detyron që të gjitha bashkitë të kenë skuadra që do të merren me rastet e fëmijëve në situatë rruge. E kemi filluar në 7 Bashki, por me ligjin e ri, puna aktive në terren do të jetë e detyrueshme për të gjitha bashkitë. Ka mbaruar koha, kur punonjësit socialë rrinë para kompjuterëve, larg situatave reale të fëmijëve. Në çdo Bashki do të ketë Grupe Ndërsektoriale për mbrojtjen e fëmijëve, me pjesëmarrje të aktorëve kryesorë, të arsimit, shëndetësisë, policisë, shërbimeve sociale. Mbrojtja e fëmijës ka nevojë për ndërhyrjen e të gjithë këtyre aktorëve dhe nuk mund të bëhet vetëm nga punonjësit socialë”, shtoi Klosi. Për ministrin, risi e rëndësishme është edhe futja e një dispozite, që ka të bëjë me detyrimin për raportim nga mësuesit dhe psikologët e shkollave. Projektligji i ri ndalon rreptësisht ndëshkimin trupor dhe dhunën si mjet edukimi në shkolla dhe institucione. “Ata persona që dhunojnë një fëmijë, që kryejnë një vepër penale ndaj një fëmije, nuk do të lejohen të ushtrojnë profesione, ku të kenë kontakt me fëmijët as në institucionet private. Ligji do të ofrojë mbrojtje të veçantë edhe për fëmijët nën moshën e përgjegjësisë penale, që kryejnë vepra penale.

Ligji përcakton qartë se për fëmijët që duhet të merren në mbrojtje nga shteti, vendosja në institucion duhet të jetë zgjedhja e fundit. Njëkohësisht, ligji e bën shumë të qartë se detyrimi kryesor për t’i garantuar fëmijës zhvillim, mirërritje, arsim dhe shëndetësi është i familjes, i prindërve. Sigurisht që shteti ka detyrë të ndihmojë familjen kur ajo është në nevojë dhe ka nevojë për ndihmë”, shpjegoi Klosi, i cili theksoi se për këtë arsye, ligji propozon masa të aftësimit prindëror, për të ndihmuar prindërit që të përmbushin detyrimin e tyre prindëror, në interes të fëmijës. Sipas tij, disa nga masat e aftësimit prindëror janë: Punësimi, këshillimi, ndërgjegjësimi dhe asistimi i familjes.

 

Pin It