Muzeu Historik Kombëtar boton revistën “Studime Muzeologjike” nr:7

Muzeu Historik Kombëtar boton numrin 7 të revistës “Studime Muzeologjike”. Në prezantimin e numrit 7-të të revistës “Studime Muzeologjike” morën pjesë bashkëpunëtorët e ngushtë të saj, anëtarë të redaksisë si dhe të ftuar të tjerë.

Gjatë viteve 2002-2004 kanë dalë regullisht 3 numra të revistës. Por pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh, në vitin 2014 u realizua botimi i numrit 4 i revistës “Studime Muzeologjike”. Botimi ka vijuar edhe në vitet 2015, 2016 e 2017.

Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, bëri një ekspoze të zgjeruar të 12 artikujve që janë botuar në këtë numër. Më pas Pëllumb Xhufi jo vetëm përshëndeti këmbënguljen e institucionit për vazhdimin e botimit pas ndërprerjes së gjatë, por tha se “Studime Muzeologjike”është një revistë që konkuron me dinjitet me revistat e tjera shkencore që botohen nga institucionet e tjera në vend.

Në fjalën e tij Prof. Dr. Luan Përzhita i mëshoi faktit se revista “Studime Muzeologjike” është e vetmja e këtij lloji në të gjitha trevat shqiptare dhe si e tillë duhej riformatuar, për të shkuar tek studiuesit e fushës, por dhe lexuesit e tjerë me një përmbajtje më të gjerë por dhe me një koncept më modernedhe në formë.

Në numrin 7-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.

Revista përmban 12 shkrime me tema të ndryshme:  Dorian Koçi, ka botuar artikullin me temë: “Dy kisha Romaiko-Gotike në Shqipërinë e Epërme”. Më pas vjen punimi i Andrea Llukanit me titull: “Ikonat e Diço Zografit në Muzeun Historik Kombëtar”; punimi mjaft interesant i Ledio Xhorxhit me titull: “Si mundet muzeu im të ndihmojë vizitorët me probleme në shikim”. Ndërkohë që janë paraqitur me punimet e tyre edhe Prof. Dr. Luan Përzhita, Prof. As. Dr. Shaban Dervishi, Prof. As. Dr. Frederik Stamati, Prof. Asoc. Dr. Ermal H. Baze, Tatjana Alimema, Etleva Demollari, Alban Meta e Sokol Çunga.

Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, konservimit dhe restaurimit. Prezantimi i numrit 7 të revistës “Studime Muzeologjike” u përcoll me një debat pozitiv dhe shumë frytdhënës, lidhur me ecurinë e saj në të ardhmen.

Dalja në qarkullim e “Studime Muzeologjike-7” u bë e mundur përmes punës së një redaksie të zgjeruar e mjaft të kualifikuar, anëtarë të së cilës janë: Dr. Dorian Koçi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. LuanPërzhita, Prof. Dr. Persida Asllani, Dr. Ardit Bido. /ATA/

 

Pin It