Natën e kalonte më shumë me adhurim…

Rrëfimet e sahabeve na tregojnë se Profeti e ndante natën në tri pjesë. Njëra pjesë i dedikohej adhurimit, njëra familjes dhe e fundit çështjeve personale. Shpesh ai është parë të harxhonte kohën e tij në dobi të bashkësisë duke u takuar me njerëzit dhe duke u përpjekur t’u jepte zgjidhje nevojave të tyre.

Profeti raportohet se e ndalonte aktivitetin e tij pas perëndimit të diellit [Mustedrek 3/461]. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai pushonte gjatë gjithë mbrëmjes; ai nganjëherë bënte takime edhe pas akshamit apo jacisë. Si parim të përgjithshëm, ai nuk preferonte të flinte përpara namazit të jacisë apo të fliste pas tij (Buhari, Mevakit, 13/23). E shoqja, Aishja (r.a.), raporton se Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), flinte në pjesën e parë të natës dhe ngrihej për t’u falur në pjesën e fundit të saj (Ibn Maxhe, Ikame, 182). Në raste të veçanta, Profeti është parë të qëndrojë zgjuar deri në orët e vonat të natës duke ndenjur me njerëzit.

Namazet e natës (tehexhudi), orët e shpenzuara në adhurim, meditimi dhe namazet, të gjitha këto zinin një vend të madh në jetën e Profetit. Ai raportohet të ketë shpenzuar mesatarisht 2/3-3/4 e çdo nate në adhurim, përkujtim (dhikr), reflektim dhe lutje. Kjo i korrespondon një periudhe prej 4-7 orësh çdo natë, në varësi të stinës. Ai e shpjegon rëndësinë e namazeve të natës me fjalët e mëposhtme:

“Allahu zbret në qiellin e parë çdo natë dhe thotë: ‘A ka ndonjë që lutet që Unë t’ia pranoj lutjen’ dhe kjo vazhdon deri në agim.” (Usdu’l Gaba: 6/91, ibn Maxhe, Ikame 182). Ai gjithashtu pëlqente qëndrimin në këmbë natën ashtu siç ka bërë Profeti Davud: “Namazi më i mirë i natës për Allahun është namazi i Davudit. Ai flinte pjesën e parë të natës, pastaj zgjohej e kalonte një të tretën e natës në adhurim dhe flinte përsëri pak përpara agimit” (Buhari, Tehexhud 7; Muslim, Sijam, 189; Nesai, Kijamu’l-lejl, 14)

Pin It