Ndërron jetë albanologu Robert Elsie, lë amanet për t’u varrosur në Shqipëri!

 

 

Albanologu kanadez Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare. Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër të Kanadasë. Në University of British Columbia, studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua në vitin1972.

Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, pastaj në Ecole Pratique des Hautes Etudes në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.

Ai ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për vjet me radhë. Pasi mësoi gjuhën shqipe dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë. Robert Elsie ishte autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.

Robert Elsie ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se më vdekjen e Robert Elsiet, “u shua një nga mendjet më të ndritura albanologjike. Robert Elsie ka lënë një trashëgimi të pasur si historian i letërsisë. Ai, me shumë studime dhe libra, e afirmoi kulturën dhe letërsinë shqipe në përmasa botërore”.

Shkrimtarja Flutura Açka ka publikuar në rrjetet sociale amanetin e Elsie sipas saj. Ajo shkruan se amaneti i fundit i albanologut ishte të prehej në Shqipëri.

“Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare.

Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme.

Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi.

Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”- shkruan Açka

 

Pin It