Ndërron jetë Bahri Myftari, shkrimtari i disa tregimeve

u1_bahri-myftari

Eshtë ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 72-vjeçare Bahri Myftari, një emër i njohur në letrat shqipe. I njohur për tregimet e ndjera ai ka një kontribut në letërsinë shqipe si autor i disa librave.

Bariu lindi në Elbasan në vitin 1944, në një familje të njohur. Atje u edukua dhe u shkollua dhe më pas kreu studimet në Institutin Pedagogjik dhe u diplomua si mësues. Profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesit e ushtroi në disa fshatra të Elbasanit dhe më pas në qytetin e Elbasanit. Ai u dallua mbi shokët e tij për përkushtimin e edukimit të brezit të ri.
Por ajo që e bëri një personalitet të njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve ishte aktiviteti si shkrimtar. Ai filloi të botojë në moshë të re dhe provoi disa gjini, dramën, reportazhin, por u shqua në gjininë e tregimeve.
Ai botoi një korpus të vërtetë përmbledhje me tregime, që janë pritur e vlerësuar nga lexuesi i gjerë.
Tregimet e tij u vlerësuan nga autoritete të njohura si Vath Koreshi, Perikli Jorgoni, Behar Gjoka, Koçi Petriti, Teodr Laço, Gëzim Zilja, Enver Lepenica, Qazim Shehu, Anastas Kondo, Bardhosh Gaçe etj.
Të gjith këta kanë vënë në dukje veçoritë e tregimeve të tij që dallojnë dhe se prurjet e tij në fushën e letërsisë së ditëve tona janë me vlera.
Bahri Myftari është dalluar edhe si aktivist shoqëror, ai me mençuri dhe shpirtin e tij demokratik, pa degradimin e sistemit diktatorial komunist dhe u radhit në vijën e parë të luftëtarëve për të përmbysur atë diktaturë.
Në sistemin demokratik ai ishte një nga krijuesit dhe udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate dhe luftoi me të gjitha forcat për trumfin e idealeve demokratike.
Bahri Myftari u shqua edhe në fushën e publicistikës, në krah të publicistëve të njohur Fahri Balliu, Astrit Nuri, Xhevat Mustafa etj ai dha kontributin e tij të vlefshëm për triumfin e ideve demokratike.
Edhe në pension ai ishte njeri aktiv dhe ishte çdo ditë në punë, me shkrime publicistike, me tregime në shtypin e përditshëm, me pjesëmarrje e diskutime në aktivitet kulturore, në çdo rast duke dhënë mendimin e tij me guximin që e karakterizonte dhe me qytetari.
Humbja e tij, është humbja e një intelektuali dhe shkrimtari që nuk bënte gjumë për problemet e shoqërisë sonë.

Pin It