Nga degët e Imanit (besimit)…

Besimi është lidhja më madhështore që ekziston ndërmjet njeriut dhe Zotit të tij, sepse njeriu është krijesa më fisnike që gjendet në tokë. Gjëja më fisnike që ndodhet në të është zemra dhe mendja e tij. Kurse, gjëja më fisnike në zemër është besimi, ndërsa, në mendje meditimi. Besimi është dhuntia më e madhe që Allahu ia ka dhënë njeriut.

Imani, gjegjësisht besimi ka shumë degë, madje të gjitha veprat që bëhen në bindje ndaj Allahut hyjnë nën degët e imanit. I Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: “Imani ka shtatëdhjetë e ca degë, më e larta prej tyre është thënia “la ilahe il-lall-llah”, ndërsa më e ulëta është heqja e pengesës nga rruga. E, edhe turpi është degë e imanit.” [Sahihu Muslim]

Iman domethënë besim me zemër, shqiptim me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë. Kjo nënkupton vërtetim të plotë për tërë atë që ka ardhur prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij, duke u kujdesur mirë për kryerjen e obligimeve dhe lënien e gjërave të ndaluara. Njëherë, pasi i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) u pyet për imanin, tha: “T’i besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe ta besosh caktimin e Allahut për të mirë dhe të keqe.” [Sahihu Muslim]

Burimi: shembulli.com

Pin It