Doktori pa me kujdes filmin e grafisë së të moshuarit, pastaj tha:
– Gjendja juaj nuk është shumë e mirë. Keni dhembje në krah të majtë?
– Po, – iu përgjigj i moshuari. – Përsëritet pesë-gjashtë herë në ditë.
– Po marrje mendsh a keni?
– Kur jam shtrirë, po. Por edhe kur ngihem përnjëherësh nga shtrati.
– Unë jam njeri realist, zotëri! – tha doktori duke hequr syzet. – Nuk fsheh asgjë nga të sëmurët. Duke u bazuar në zhvillimet e fundit dhe në shqyrtimin e tyre, rezulton se nuk ka mbetur asnjë shpresë shpëtimi.
I moshuari uli kokën, i nënshtruar para vullnetit të Allahut. Kjo situatë e tij tërhoqi vëmendjen e një doktori tjetër aty në dhomë. Ky doktor i shquar në tërë vendin, u afrua pranë shokut dhe pasi i hodhi një sy grafisë, tha:
– Zotëri! A ju sforcohen nganjëherë muskujt?
– Po! – tha përsëri burri. – Madje ndonjëherë më dhemb.
– Po mpirje të zgjatur a keni?
Burri vetëm tundi kokën.
– Zotëri! – tha doktori i dytë. – Edhe unë jam i detyruar të përcaktoj diagnozën në bazë të zbulimeve të reja dhe të të vërtetave që po zhvillohen me shpejtësi. Për fat të keq, ju pret vdekja.
Në momentin kur burri i moshuar nisi të largohej, një asistent doktor i ri që po rrinte në qoshe të dhomës, u hodh e tha:
– Xhaxha! Edhe unë dua t’ju bëj disa pyetje.
I moshuari u përkul përsëri.
– Pyetjet e mia janë pak ndryshe, – tha asistenti. – Por u bëra kureshtar të di nëse besoni në Zot?
– Sigurisht! – tha burri. – Më shumë besoj në qenien e tij, se në atë timen.
– Po namazin a e falni?
– Fillova ta fal kur isha njëzet vjeç, – iu përgjigj. – Por i kam plotësuar borxhet e mëparshme. Doktori i ri u afrua me hapa të ngadaltë pranë të moshuarit dhe duke i shtrënguar me dashuri duart që i dridheshin i tha:
– Xhaxha! Unë dua të përcaktoj diagnozën duke u bazuar në të vërtetat që nuk kanë ndryshuar prej shekujsh dhe që nuk
do të ndryshojnë deri në ditën e kiametit. Një rini e përhershme ju pret. Madje një rini që do ta kaloni në Xhenet.
I moshuari u ngrit ngadalë në këmbë. Buzëqeshja në fytyrë i dha një bukuri të veçantë.
U afrua dy doktorëve të parë dhe u tha:
– Juve jua shënova borxhin!
Pastaj u drejtua nga doktori i ri dhe pasi e puthi në ballë, shënoi diçka në faqen e pasme të Kuranit të vogël që nxori nga xhepi.
– Ty ta shënova emrin në krye të listës të njerëzve, për të cilët do të bëj dua, bir! Një tetëdhjetëvjeçari nuk mund t’i jepje shërim më të mirë se ky.