Nis fushata kundra dhunës në familje, Klosi: Më shumë guxim për të denoncuar

blendi-klosi

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, lançoi sot fushatën kundra dhunës në familje me sloganin “Unë zgjedh të jetoj pa dhunë”. Klosi e cilësoi fushatën si një thirrje kombëtare për të mbrojtur gratë dhe fëmijët dhe për të jetuar në një shoqëri pa dhunë.

Ministri risolli në vëmendje disa raste të dhimbshme të dhunës në familje të bëra publike në media dhe të trajtuara së fundmi.

“Të gjithë u tronditëm kur pamë në mes të ditë dhunimin e një gruaje në sy të fëmijëve. Morëm masa menjëherë për trajtimin psikologjik të saj, punësimin. Marsela, emrin e saj e mbani mend, brenda dramës së saj është një rast suksesi dhe prova e jetuar se institucionet në partneritet me organizatat e Shoqërisë Civile i dhanë një zgjidhje Marselës. Zgjidhja është aty, por për ne kjo nuk mjafton, është shumë larg kërkesave tona, të një shoqërie europiane. Viktimat e dhunës jo vetëm u ofrohet shërbim, por mekanizmat e referimit të dhunës janë tashmë të ngritura në 29 nga 61 bashki”, u shpreh Klosi.

Ai tha se gjatë 2016-ës janë shënuar rritje të rasteve të dhunës në krahasim me një vit më pare dhe se tashmë shoqëria ka më shumë guxim për të denoncuar dhunën brenda familjes. Për këtë do të ngrihet edhe Linja e Këshillimit për trajtimin e grave të dhunuara

“Është fakt që tashmë kemi më shumë guxim të denoncojmë, institucionet mirëpresin denoncimin dhe shoqëria reagon si një e tërë në çdo raste dhune. Ky është tregues i rritjes së besimit se pas denoncimit ka mbrojtje. Ngritja e linjës së këshillimit që do të firmosim sot, do të jetë në funksion të këtij sistemi”, tha Klosi.

Pin It