Një lajm i mirë për shtresën e Ozonit

Për  vite më radhë një nga problemet kryesore të ambientalistëve, shkencëtarëve e jo vetëm, ka qenë zgjerimi i vrimës së Ozonit. Më në fund vjen një lajm i mirë në lidhje me të. Shkencëtarët besojnë se shtresa e ozonit është drejt rigjenerimit. Sipas një grupi prej 300 kërkuesish në të gjithë botë, të cilët hartuan një raport për OKB-në, kjo shtresë gazi në atmosferë do të trashet në dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Shkak për këtë është veprimi i bashkërenduar ndërkombëtar për parandalimin e emetimit të lëndëve të dëmshme, që e hollojnë ozonin.

Ozoni është një shtresë e brishtë gazi i përbërë nga oksigjeni tre atomik, që gjendet në stratosferë. Ai shërben për mbrojtjen e Tokës nga rrezet ultravjollcë të Diellit, që janë të dëmshme për njerëzit.

Sipas dokumentit, si pasojë e përmirësimeve që do të ndodhin deri në vitin 2030, do të parandalohen deri në dy milionë raste të kancerit të lëkurës.

Ndërkohë që do të shmangen dëmtime të syve, sistemit imunitar të njerëzve, si dhe do të mbrohet jeta e egër dhe bimësia. Besohet se ndalimi i emetimit të lëndëve të dëmshme në atmosferë do të ndikojë edhe në pakësimin e ngrohjes globale.

 

Pin It