Një vit nga ndarja me Dritëro Agollin

Mbushet plot një vit nga ndarja nga jeta e Dritëro Agollit, patriarkut të letrave shqipe. Shkrimtari u largua nga jeta në moshën 85-vjeçare më 3 shkurt të vitit 2017. Shkrimtaret dhe artistët do të organizojnë një aktivitete me kujtime, mbresa dhe recitime në Muzeun Historik Kombëtar për nder të Driëtro Agollit. një vit më parë shkrimtari u përcoll me nderim nga qeveria shqiptare, bota e artit dhe njerëz të thjeshtë që e adhuronin shkrimtarin.

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. Në moshën 9-vjeçare u përfshi në Luftën Nacional Çlirimtare. Aty merr detyrën si korrier i çetave partizane. Pas Çlirimit të vendit Agolli vazhdoi studimet në Gjirokastër në gjimnazin e këtij qyteti për katër vjet rresht. Aty botoi poezitë e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Këtu zuri fill edhe miqësia e tij me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Të dy së bashku, Agolli dhe Kadare i përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.

Dritëro Agolli u dërgua nga shteti me bursë për të studiuar në Shën Petërburg, kur Bashkimi Sovjetik ishte pjesë e kampit komunist dhe Shën Petërburgut ia kishin ndërruar emrin e quhej Leningrad. Në moshën 25-vjeçare ai u kthye në Tiranë fillimisht si gazetar, ku u shqua për reportazhet e bukura e të ndjera për njerëzit e thjeshtë dhe punëtoret. Ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”. Publicistika e tij është përbëhet nga mijëra artikuj, fejtone, ese dhe reportazhe. Nisi te botoj edhe vëllimet e para poetike, tregimet dhe tekste dramatike për teatrot, të cilat u shquan për frymëzime e metafora të mrekullueshme.

Gjatë studimeve në Rusi, Dritëro Agolli u njoh me një studente ruse dhe pas njohjes me të ndodhi dhe martesa e tij e parë. Martesa u bë në vitin 1956, kur sapo ishte kthyer në atdhe. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej me gruan e tij të parë Ninën. Me të pati një djalë Arjanin. U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Në Rusi, Agolli u rikthye vetëm pas rënies së komunizmit, pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë, ku pati një takim mallëngjyes me të birin.

Dritëro Agolli gjatë gjithë karrierës së tij artistike, ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit. Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Devoll-Devoll”, “Nënë Shqipëri”, “Udhëtoj i menduar”, etj. Pas 1990-s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj. Në jetën e shkrimtarit ka pasur shumë suksese, por edhe momente të hidhura. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. Shkrimtari njihej si një karakter rebel. Romani më i bukur i tij, “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas botimit, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tri libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960,

drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli ka shkruar edhe skenarë filmash dhe drama. Për shumë vite Agolli ka dhënë kontribut edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe. Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit ka qenë edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe deputet në disa legjislatura. Nuk ndryshoi parti pas rënies së komunizmit, në vitet ai u bë ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i

Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Dritëro Agolli, shkrimtari më i madh shqiptar është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës. Romani i tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës. Nuk numërohen vlerësimet. Në 82 vjetorin e Lindjes në vitin 2013, shkrimtari i madh Dritëro Agolli është vlerësuar edhe me çmimin “Carlo Levi” në Itali.

/shqiptarja.com

Pin It