Obama në Hiroshima, një vizitë pro paqes dhe kundër luftës

160527055720-19-obama-japan-0527-exlarge-169

Presidenti amerikan Barak Obama vizitoi të premten më 27 maj Hiroshimën duke u bërë presidenti i parë i SHBA që viziton qytetin e bombarduar nga amerikanët 71 vjet më parë. Vizita e tij u karakterizua nga mesazhet e shumta për paqe, mirëkuptim dhe thirrjet për një botë pa armë bërthamore dhe pa luftëra e konflikte pa kuptim.

Duke folur për bombardimin e Hiroshimës ai tha se 71 vjet më parë njerëzimi demostroi se ishte i aftë të shkatërronte vetveten.

“Pse vijmë në këtë vend, në Hiroshima? Vijmë për të peshuar forcat e tmerrshme të lëshuara jo shumë kohë më parë. Vijmë për të kujtuar të vdekurit… shpirtrat e tyre flasin me ne dhe na kërkojnë të shohim brenda nesh. Për të kuptuar cilët jemi dhe çfarë jemi të aftë të bëjmë”, tha Obama.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e konsideroi vizitën e tij si një mënyrë për të treguar se edhe ngjarjet më të dhimbshme që na ndajnë, mund të kthehen në ura lidhëse.  “Lufta është pjesë e historisë së njeriut por kemi mësuar se nuk duhet që të përdorim mjete që kemi fabrikuar për të bërë keq”, tha presidenti i SHBA në Memorialin e Paqes.

Më tej Obama vlerësoi marrëdhënien me japonezët si një ndër më të fortat dhe provë të faktit që kundërshtarët mund të bëhen partnerë dhe miq të mirë.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, e shoqëroi presidentin Obama gjatë vizitës së tij fillimisht në Memorialin e Paqes, më pas tek Parku i Paqes, ku të dy liderët nderuan të rënët përballë “Flakës së Përjetshme”.

Obama takoi gjithashtu disa nga të mbijetuarit e sulmit të Hiroshimës. “Nuk dua që Obama të më kërkojë falje, dua vetëm që t’i shtrëngoj dorën, pa urrejtje”, tha presidenti i Shoqatës së të Mbijetuarëve të Hiroshimës, Sunao Tsuboi.

Ndërsa kryeministri japonez e cilësoi vizitën e presidentit amerikan si një nxitje shumë të madhe për të parandaluar armatimin bërthamor në botë.

Pin It