Oltsen Gripshi prezanton punimet e tij në COD

Pas suksesit të ekspozitës “Antropo- Fenomenologji” në Galerinë Kombëtarë të Arteve, artisti Oltsen Gripshi u prezantua në sallën e ekspozitave COD në kryeministri.

Në COD ai u prezantua me disa prej veprave të realizuara me teknikën e video-art dhe instalacionit. Të gjitha veprat si pjesë e një kërkimi mbi gjurmën njerëzore, ku ndërthuren fenomenet bashkë me antropologjinë, se si njeriu i sotëm bashkëkohës arrin të krijojë kaq shumë fenomene, ku më pas pa kuptuar është pjesë e tyre.

“Një tjetër element ku thellohet kërkimi im si artist bashkëkohor është shpërfaqja dhe thyerja e “tabuve” për të paraqitur nëpërmjet artit bashkëkohor aspekte të jetës që gjenden, zhvillohen dhe dihen nga të gjithë ne, por askush nuk ka guximin të flasë për to. P.sh tema si incesti në familje, persekutimi politik në kohën e diktaturës, virgjëria etj”, tregon artisti Gripshi. Veprat e prezantuar në Forumin COD Artist Talk ishin: “Tranzit” (video-instalacion), “Përfundimi i një ekuacioni” (video-art), “Virgjëriteti” (instalacion), “Antipodo inverso” (video-art) dhe “Polifonia e incestit” (instalacion). “Të gjitha këto vepra të reflektuara përballë njëra-tjetrës si metafora të ngujuara, duke fluturuar çorodituri brenda mureve të qelqta të qenies time si një artist bashkëkohor, i cili, botën e vështron me shikimin e mbetur pezull në hapësirën pa hapësirë, boshe e të tejdukshme.

I qëndron përballë, përkrah, mbi krye, nën këmbë, si e si për ta njohur, për të depërtuar në indet e anatomisë së saj, për të zbuluar misteret, zhveshur errësirën dhe rrëmbyer dritën, duke krijuar kësisoj një marrëdhënie alkimike të pashterueshme në zbërthimin e një realiteti të së tashmes, por dhe të një realiteti pas tij”, shton më tej artisti Oltsen Gripshi mbi veprat e tij.

Më tej ai tregon se aktiviteti i tij artistik vijon gjithmonë në kërkimin dhe zbulimin e konceptualizmit.

“Një proces që nuk ndalet së kërkuari dhe shtruari pyetje mbi të qenët dhe ekzistuarit, duke prekur çaste të ndryshme të vetë jetës së njeriut, si krijues i fenomeneve dhe pasues i tyre”, tregon artisti. Por ajo çfarë mendon ai se mund të ndihmojë artistët e sotëm në zhvillimin e artit të tyre është mbështetja ekonomike, e cila është A B C e gjithçkaje dhe krijimi i hapësirave ku ata mund ta shfaqin atë, si dhe ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ideoi dhe ndërtoi një muze të artit bashkëkohor, sikurse e kanë tanimë të gjitha kryeqytetet e Evropës. /ATA/

Pin It