Opera “Carmen” bën bashkë më të mirët e skenës

 

Edhe pak ditë na ndajnë nga ngjitja në skenë e operës “Carmen”. Emocionet kanë përfshirë, jo vetëm stafin e Teatrit të Operës dhe Baletit që përfaqësohet në këtë premierë me ekselencën shqiptare në botë; me baritonin Gëzim Myshketa, balerinën Ambeta Toromani dhe emrat e mëdhenj të muzikës operistike shqiptare, si Vikena Kamenicën e Eva Golemi, por edhe me yjet e artit botëror.

I janë bashkuar stafit të operës, dirigjenti Ricardo Casero, koreografi Gheorghe Iancu, balerini Alesandro Macariom dhe tenori Giancarlo Monslave. Drejtoresha e Teatrit të Operës Zana Çela bashkë me premierën prezantoi programin, duke përmendur më parë arritjet e vitit të shkuar.

Teatri i Operës dhe baletit ka realizuar 105 shfaqje, tha Çela. Sezoni i ri do të ketë jo pak kosto. “Carmen” do të vishet me kostume të reja. Çela thotë se“Janë realizuar 270 kostume, por me një shifër minimale, as një milion lekë të reja”. Cigania me zemër të madhe e çapkëne do të vijë nën interpretimin e Vikena Kamenicës dhe Ivana Hoxhës.

Vikena Kamenica thotë se “Siç vjen Gëzimi me një ide të tijën, vij edhe unë me 10 vite eksperiencë por të formuar dhe si femër, sepse tashmë çdo emocion të Carmenit deri diku e kuptoj, sepse të bëjnë vitet e jetës që të rritesh në atë formë dhe të kuptosh dhe emocione të ndryshme”.

Baritoni i njohur Gëzim Myshketa do të këndojë rolin më të dashur Don Hose-në. “Kësaj radhe menduam të bëjmë diçka të madhe, do të jetë një vepër që përfshinë të tëra masat, që nga kori i fëmijëve, orkestra, teknika, skenografi të reja” shprehet Gëzim Myshketa Opera “Carmen” do të ngjitet në Pallatin e Kongreseve në datat 31 janar dhe do të pasojë me tre net të tjera deri 3 shkurt.

Shqiptarja.com

Pin It