OSBE: Të nisë reforma zgjedhore, s’ka kohë për të humbur

3957

Përfaqësuesja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Carolina Ramos Da Costa, bëri thirrje sot për fillimin dhe mbylljen në kohë të reformës zgjedhore. Diplomatja tha se ka mbetur shumë pak kohë deri në mbarimin e mandatit të KQZ-së, por procesi i reformës zgjedhore nuk ka nisur ende.

“Ka mbetur vetëm një muaj e gjysmë deri në fillimin zyrtar të përgatitjeve, mandati i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore skadon më 9 dhjetor dhe procesi i reformës zgjedhore nuk ka nisur ende. E thënë thjesht, nuk ka më kohë për të humbur,” – tha ajo.

Carolina Ramos Da Costa tha se edhe mesazhi i Kryetarit të Prezencës, ambasadorit Bernd Borchardt, është që komisioni për reformën zgjedhore të mblidhet dhe të rifillojë punën sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ajo mori pjesë në seminarin për financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore, të organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Delegacioni i Bashkimit Europian. Ramos Da Costa tha se duhet vendosur një ekuilibër në financimet e partive politike duke monitoruar me kujdes legjislacionin e miratuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë të fuqizohet nga ana ligjore për të monitoruar si duhet financat e partive dhe fushatat zgjedhore, si dhe ka nevojë për kapacitetet financiare e njerëzore për të bërë verifikime të mëtejshme,” – tha ajo.

Ramos Da Costa bëri edhe disa sugjerime, si ngritja e platformave për raportimin e shpenzimeve të partive politike dhe rasteve të dyshuara të korrupsionit; vendosja e përgjegjësive të brendshme të qarta në KQZ për mbikëqyrjen e financave të partive; pajisjen e partive politike me një program kompjuterik financiar vetëm për financimet e partive politike; si dhe botimin nga KQZ-ja të çmimeve të referencës për veprimtaritë zgjedhore.

Pin It