Oscar për filmin dokumentar frymëzuar nga puna e vullnetarëve në Siri

Filmi “White Helmets” që i dedikohet një grupi vullnetar që vepron në Sirinë e kontrolluar nga rebelët ka fituar një Oscar për filmin më të mirë dokumentar me metrazh të shkurtër.

Filmi tregon jetët e vullnetarëve të cilët përpiqen për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat e ndërtesave të rrafshuara nga bombardimet.

Gjatë marrjes së çmimit regjisori Orlando von Einsiedel i kërkoi audiencës të ngrihej për të kërkuar fundin e luftës civile 6-vjeçare në Siri, e cila u pasua nga një valë duartrokitjesh.

Regjisori lexoi mesazhin e themeluesit të grupit “White Helmets” Raed al-Saleh, në të cilin ai falenderonte akademinë për çmimin dhe thoshte se grupi ka shpëtuar dhjetra-mijëra jetë që nga themelimi në 2014.

“Ne i jemi shumë mirënjohës dokumentarit që ka hedhur dritë mbi punën tonë. Organizata jonë bazohet në ajetin Kur’anor: të shpëtosh një jetë është si të shpëtosh gjithë njerëzimin,” – thuhej në mesazhin e Saleh.

Anëtarët e grupeve që shpëtojnë jetë në Siri janë shpesh të rrezikuar nga sulmet ajrore dhe shumë prej vullnetarëve të “White Helmets” kanë mbetur të vrarë.

Ndërkohë kinematografi sirian Khaled Khatib, i cili ka punuar për realizimin e dokumentarit nuk mundi të merrte pjesë në ceremoni, sepse iu ndalua hyrja në SHBA, pavarësisht se kishte vizë. Vendimi erdhi pasi presidenti Donald Trump ndaloi hyrjen në Amerikë të shtetasve nga vendet myslimane, përfshirë Sirinë, dhe zyrtarët amerikanë deklaruan se kishin zbuluar “informacione denigruese” rreth tij.

Producentja e filmit Joanna Natasegara tha se vendimi ishte “i trishtë dhe ngatërrues”.

Pin It