Panairi Mesdhetar i Turizmit, pikë takimi i aktorëve të industrisë turistike

Në Tiranë më 8-9 Prill në Expo City u zhvillua Panairi Mesdhetar i Turizmit, i pari i këtij lloji që organizohet në vendin tonë.

Panairi Mesdhetar i Turizmit, synon të jetë një pikë takimi e një rëndësie rajonale të aktorëve të industrisë turistike siç janë operatorë turistikë, agjenci shtetërore, bashkitë, apo edhe organizata lokale e institucione ndërkombëtare.

“Duke filluar nga viti i kaluar ne jemi përpjekur ta shfaqim Shqipërinë në më shumë se 15 panaire. Ka disa gjëra që duhen zbuluar në rajon, në vendin tonë, ndaj dhe tema e këtij panairi u vendos të quhej Mesdheu por edhe më shumë Shqipëria, si destinacion i rëndësishëm turistik”, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Në këtë panair ishin 72 stenda dhe rreth 120 subjekte, ku risi është prezantimi i secilës Bashki të vendit, që nga Malësia e Madh e deri në Sarandë. Produktet e paraqitura në këtë panair ishin nga më të larmishmet, që nga paketat turistike, produktet e kulinarisë, kostumografisë, punimeve artizanale e gjithçka tjetër të bukur dhe me vlerë që ka vendi ynë.

Gjithashtu në panair morën pjesë agjenci turistike nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, nga Italia, nga Greqia, të përfaqësuara nga ambasadat që i takojnë zonës së Mesdheut .

Panairi u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes me bashkë-organizatorë Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Unioni Turistik Shqiptar dhe Shoqata Turistike Shqiptare.

Pin It