Pastërtia, vlerë dhe element i civilizimit Islam

ˆ

Një nga gjërat që gjithë bota e ka mësuar prej Islamit është pastërtia. Islami i ka kushtuar rëndësi shumë të madhe pastërtisë dhe këtët e vërteton fakti se Allahu pastërtinë, e ka bërë çelës dhe rrugë deri te shtylla më e rëndësishme e Islamit, që është namazi. Për t’u kryer namazi, adhurimi më i lartë i besimtarit, ai duhet të pastrohet fizikisht, dhe të pastrojë rrobat e vendin ku do e kryejë këtë adhurim. Thotë Profeti ynë i nderuar (s.a.s): “Pastërtia është gjysma e besimit!” Madje, Ai (s.a.s) ka këshilluar edhe me fjalë edhe me vepra pastërtinë fizike, pastrimin e dhëmbëve, prerjen e thonjëve, parfumosjen me aromë të mirë, etj.

Nga tradita Profetike e pastrimit dhe pastërtise, lindi nevoja që në çdo vend ku banonin myslimanët, vendi për t’u pastruar të ishte domosdoshmërisht i pranishëm. Kështu, kjo traditë vazhdoi pandërprë duke u bërë edhe si traditë e myslimanëve. Çdo shtëpi kishte banjot private e çdo qytet kishte shumë banjo publike.

Kështu me zgjerimin e territoreve në të cilët banonin myslimanët, u përhap dhe tradita e pastërtisë. Në periudhën që Amerika nuk ishte zbuluar ende dhe Evropa ishte në periudhën e errësirës, në çdo aspekt, myslimanët e Andaluzisë që kishin shkuar aq afër tyre kishin ndërtuar ujësjellës dhe rreth 900 banjo publike.

Shumë domethënëse është edhe historia e fillimeve të Tiranës si qytet, kur Sulejman pashë Bargjini (Mulleti), që njihet si themeluesi i saj, ndërtoi xhaminë që mbante emrin e tij, hamamin(banjo) dhe furrën e bukës. Pra, tre elemente themelore për qytetërimin, xhamia si vendadhurimi që i mbledh njerëzit në një vend, hamami(banjoja) si simbol i pastërtisë së detyrueshme, si dhe furra e bukës që u duhet njerëzve për t’u ushqyer.

Kështu pastërtia perveçëse një traditë e Islamit vërtetohët të jetë një element i rëndësishëm civilizimi Islam dhe jo vetëm.

Pin It