Pendimi sipas traditës profetike

 

Ebu Hurejra (r.a.) thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Betohem në emër të Allahut që me të vërtetë unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë.”

Ky hadith profetik na paraqet një çështje mjaft të rëndësishme që ka të bëjë me besimin, na ofron një panoramë të sjelljes së myslimanit si dhe një model të marrëdhënieve ndërmjet njeriut dhe Krijuesit. Kjo panoramë na shfaqet në modelin më të mirë; na shfaqet nëpërmjet sjelljes dhe lidhjes së ngushtë që Profeti (a.s.) kishte me Allahun e Lartësuar.

Për të treguar se ai (a.s.) kërkon falje dhe pendohet tek Allahu shprehet në formën e betimit, që do të thotë se kërkimi falje dhe pendesa ka një vlerë të madhe. Në të njëjtën kohë, betimi tregon se kërkimi falje dhe pendesa janë urdhër dhe porosi hyjnore, që çdokush që është treguar neglizhent të nxitojë sa më parë për të kërkuar falje dhe për t’u penduar.

Gjithsesi, me të drejtë këtu mund të lindë një pyetje: Mos vallë Profeti (a.s.) kërkon falje dhe pendohet tek Allahu, ngaqë ka bërë ndonjë mëkat? Si është e mundur një gjë e tillë kur ai  është i pagabueshëm, nuk flet fjalë boshe dhe atij i falen të gjitha mëkatet?!

Në lidhje me këtë temë dijetarët kanë një direktivë të qartë: Profeti (a.s.) i kërkon falje Zotit ashtu siç i ka hije pozitës së tij i shfajësuar nga çdo mëkat dhe kundërshtim të urdhrit hyjnor, qoftë edhe gabimisht apo përpara zbritjes së profetësisë.

Në Kur’anin Famëlartë lexojmë ajete që qartësisht e urdhërojnë Profetin (a.s.) që të kërkojë falje. Allahu i Lartësuar thotë: “Kërko falje tek Allahu. Me të vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirues.” Ndërsa në një ajet tjetër Allahu thotë: “Madhëroje duke e falënderuar Zotin tënd dhe kërko falje tek Ai. Me të vërtetë Ai është Pranues i pendesës.” Që do thotë se Ti o Muhamed, kërko falje tek Zoti për umetin tënd. Fjala “Teu uaba”, që do të thotë “Pranuesi i pendesës”, është përdorur në formë të hiperbolizuar duke dëshmuar se Profeti (a.s.) urdhërohet që të kërkojë falje për umetin e tij, sepse hiperbolizimi tregon se numri i atyre që kërkojnë falje dhe i mëkateve është i madh.

Kërkimi i faljes është programi i fesë Islame, ku shembulli më i mirë është Profeti Muhamed (a.s.). Istigfari hap dyert e rrizkut, mbyll shtigjet e skamjes, ia nënshtron besimtarit ligjet e këtij universi, është shkak i numrit të madh të pasardhësve, shtimit të pasurisë, pjellorisë së tokës dhe rrjedhjes së lumenjve. Profeti Nuh (a.s.) i drejtohet Allahut të Lartësuar: “Unë u thashë atyre: Kërkoni falje tek Zoti juaj, sepse me të vërtetë Ai është Falës. Për shkak të kërkimit falje, Ai ju dërgon shi të bollshëm, ju shton pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe për ju bën kopshte dhe lumenj.”

Është më se e vërtetë që Profeti Muhamed (a.s.) ka kërkuar falje për umetin e tij, madje ka kërkuar shumë falje dhe asnjëherë nuk ka rreshtur

Le të meditojmë pak në numrin e madh të istigfarit të Profetit (a.s.) i cili thotë: “Unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë”. Kjo është një stimulim për umetin mysliman për të kërkuar falje dhe për t’u penduar tek Allahu. Profeti (a.s.) megjithëse është i pagabueshëm dhe njeriu më i mirë nga të gjithë të tjerët, kërkon falje dhe pendohet tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë. Ndërkohë Profeti (a.s.) kërkon falje jo se është mëkatar, por ngaqë ai  mendon se adhurimi i tij karshi Allahut të Lartësuar nuk është i plotë. Ibnu Haxher El Askalani thotë: “Në momentin që Profeti (a.s.) nuk e përmend Allahun, adhurimi i tij nuk konsiderohet i plotë, prandaj edhe ai kërkon falje për të demonstruar adhurimin dhe falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar.”

Burimi:Drita Islame

Pin It