Për herë të parë në histori Roma ka një kryebashkiake grua

1134184

Për herë të parë në histori Roma ka një kryebashkiake grua. Ajo është Virginia Raggi e lëvizjes 5 yjet që fitoi me 67.59% kundër kandidatit të Partisë Demokratike Roberto Giachetti.

Në festime ishte i pranishëm edhe Beppe Grillo Raggi. Pas fitores Raggi u shpreh e emocionuar se do të jetë kryebashkiakja e të gjithë romanëve.

“Ky është një moment historik. Ajo që dua të them është se më në fund Roma do të ketë një kryebashkiake grua. Falenderoj të gjithë qytetarët”, shtoi avokatja 37 vjeçare.

Fitorja e kryeqytetit nga lëvizja “5 yjet” është një goditje ndaj kryeministri Matteo Renzi i cili po përgatit një referendum mbi reformën kushtetuese. Kryebashkiakja e sapo zgjedhur do të gjej një qytet të zhytur në borxhe ,ku qytetarët ndihen të frustruar nga problemet serioze në pastërti, transportin publik dhe strehim.

Të dielën më 19 qershor në raundin e dytë të zgjedhjeve, italianët kanë votuar në 126 komuna ku në raundin e parë të votimeve më datë 5 qershor kandidatët për kryetar bashkie nuk kanë mundur të fitojnë mbi 50% të votave.

Me këtë fitore të së dielës lëvizja 5 yjet kthehet në një nga forcat kryesore që do të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme në 2018. Jo vetëm Roma por edhe Torino është në duart e 5 yjeve sërish me një grua Chiara Appendino . Lëvizja “5 Yjet” ka dominuar balotazhin e zgjedhjeve administrative në Itali, duke fituar 19 nga 20 komunat .
Në Napoli dhe Bolonja, zgjedhësit rikonfirmuan Luigi de Magistris dhe Virgilio Merola e PD. Ajo që shpëtoi demokratët është mbi të gjitha fitorja e Beppe Salas në Milano, i cili mposhti Stefano Parisin.

Rezultat pozitiv ka arritur në këto zgjedhje dhe qendra e djathtë italiane e cila ka mundur të fitojë në 10 komunat; Ndërsa qendra e majtë ka fituar në komunat e Milanos, Bolonja, Kaliari, Salerno, Rimini, Kaserta, Bolzano, Vareze e Ravenna.

Por humbja e qyteteve kryesore e vendos Partinë demokratike të kryeministrit Renzi në kushte aspak të favorshme.

 

Pin It