Përfundon drafti, anëtarët e Kushtetueses do të zgjidhen me 3/5

largea_tryeza-per-drejtesine1422903355

Ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drjetësi kanë arritur të  përmbledhin në një draft, propozimet që janë bërë në tryezën e djeshme  edhe pse pa opozitën.

 “Puna e grupit të ekspertëve është e përfunduar dhe ne e kemi draftin gati për t’ia dorëzuar komisionit ad hoc, edhe pa opozitën . Një pjesë e vërejtjeve të tyre janë përfshirë në materialin tonë, ndërsa pjesa tjetër jo. Ne e konsiderojmë punën të plotë”, nënvizoi eksperti Sokol Sadushi.

Përfundimisht, dy grupet e ekspertëve që u ulën pak ditë më parë në negociata me ambasadorin amerikan dhe atë të Bashkimit Europian kanë dështuar të gjejnë kompromisin, sesi dhe me çfarë shumice duhet të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në variantin që do t’i paraqitet komisionit ekziston vetëm një opsion. “Do jetë me 3 të pestat”, sqaroi Sadushi.

Përveç amendimeve kushtetuese për Gjykatën Kushtetuese, ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë janë ndalur edhe tek institucionet e tjera të këtij sistemi. Dikasteri i drejtuar nga Ylli Manjani i LSI propozon që gjyqësori dhe prokuroria të drejtohen nga këshillat respektivë.

Në krye të gjyqësorit është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, që Ministria e Drejtësisë propozon të përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve me votim të drejtpërdrejtë.

Ata propozohet të kenë mandat 5-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Ministria që i ka dhënë këtij këshilli të drejtën e emërimit, vlerësimit, ngritjes në detyrë dhe transferrimit të gjyqtarëve të të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor.

Në këto propozime ministria nuk ka prekur fare çështjen se si zgjidhet prokurori i përgjithshëm. Dikasteri i drejtësisë propozon që Gjykata e Lartë të jetë me 17 anëtarë, emërimi i të cilëve të bëhet nga presidenti, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë – propozon Ministria e Drejtësisë.

Kandidatët e Gjykatës së Lartë, për të cilën ministria propozon reduktimin e çështjeve që ankimohen në të duke i lënë funksionin e dhënies së vendimeve unifikuese, duhet të kenë një përvojë pune si gjyqtar jo më pak se 15 vjet.

 

Pin It