Përkujtohet 103-vjetori i lindjes së Petro Markos

petro-marko

Më 25 nëntor të vitit 1913 lindi Petro Marko, arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë t’a botonte. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Pin It