Gentiana Sula është kryetarja e Autoritetit për hapjen e dosjeve

Gentiana Sula do të jetë kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili do të merret me hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë.

Parlamenti votoi kandidaturën e Gentiana Sulës, të propozuar nga qeveria, me 69 vota pro dhe një abstenim. Ndërsa opozita bojkotoi seancën plenare duke mos votuar asnjë nga projektligjet në rendin e ditës.

Sula do të kryesojë Autoritetin e përbërë nga anëtarët Altin Hoxha, Mariglen Kasmi, Daut Gumeni dhe Simon Miraka. Para kandidimit për këtë post Gentiana Sula ka qenë zëvendësministre e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Në seancën e së enjtes Kuvendi miratoi edhe projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, projektligjin për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e të drejtës së kalimit dhe projektligjin për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu parlamenti miratoi projekt programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor – 24 dhjetor 2016.

Pin It