Përpjekja e fundit e ndërkombëtarëve pë zhbllokimin e krizës

Zëvendës/presidenti i Partive Popullore Europiane, David McAllister, vjen sot në Tiranë në një përpjekje të fundit të ndërkombëtarëve për të mundësuar zhbllokimin e krizës. Takimet e sotme të një negociatori të rëndësishëm në Parlamentin Europian nuk janë parë aq optimiste nga palët, të paktën deri dje në mbrëmje. Situata është e paqartë në të dyja kampet, ndërsa jo zyrtarisht është folur se McAllister i shoqëruar edhe nga eurodeputeti tjetër Knut Fleckenstein do të diskutojnë veçmas me Bashën, Metën dhe Ramën, mbi një dokument me rreth 10 pika.

Gjithçka pritet të zhvillohet brenda ditës, ndërsa është parashikuar edhe një konferencë për shtyp në orët e vona të mbrëmjes nga dy eurodeputetët gjermanë.

Negociatat pritet të jenë të vështira sepse palët deri më tash nuk kanë gjetur ende pika të përbashkëta. Si nga PD-ja ashtu edhe nga PS-ja burimet janë treguar të rezervuara pa mundur të thonë paraprakisht nëse vizita e McAllister sot do të jetë një sukses i papritur apo dështimi i radhës.

Ajo që dihej deri dje në mbrëmje është se kryetari i komitetit të jashtëm të Parlamentit europian David McAllister do të vijë me një draft të shkruar për të mos e zgjatur përpjekjen e tij në rast se palët nuk bien dakord.

Pin It