Personaliteti i Profetit në kaligrafi

Zhvillimi i shkrimit arab filloi me ardhjen e Islamit, kur filloi të shpallej Kur’ani, pasi Profeti a.s u kërkoi skribëve (shkruesve) të regjistronin gjithçka që dëgjonin prej tij. Si rrjedhim, shkrimi arab evoloi dhe u përmirësua me kalimin e kohës, duke çuar në krijimin e artit më origjinal islam, kaligrafisë islame. Për shekuj me radhë, muslimanët kanë zbukuruar xhamitë dhe vende të tjera me kaligrafi të mrekullueshme që përshkruajnë personalitetin e Profetit Muhamed (s.a.s), ose që përmbajnë këshilla të vlefshme mbi tema të ndryshme.

Fillimisht, Profeti Muhamed u shfaq në kaligrafi tek librat e haditheve që ishin në formë dorëshkrimesh; në fazat e hershme të zhvillimit të kaligrafisë islame, këto punime shqyrtonin traditën e tij. Pastaj u pasuan nga dorëshkrime, të njohura si shamail, që përshkruanin karakteristikat fizike dhe personalitetin e tij. Për më tepër, kaligrafët prodhuan shumë koleksione të 40 haditheve; këto koleksione u hartuan duke u bazuar në hadithin e famshëm që premton shpërblim në Ditën e Gjykimit për ata që memorizojnë 40 hadithe nga Profeti a.s.

Përveç kësaj, kishte broshura kaligrafike  që përmbanin lutje dhe bekime për Profetin Muhamed. Një tjetër kategori të veprave klasike kaligrafike përbënin dorëshkrimet e biografisë së tij; cilësia e kaligrafisë, po ashtu prarimi dhe lidhja e këtyre dorëshkrimeve vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite shembuj të shkëlqyer të artit të kaligrafisë, dhe shumë prej tyre gjenden në muzeume dhe librari në të gjithë botën. Përveç librave, ekzistojnë edhe disa albume që përmbajnë hadithe të Profetit a.s dhe që janë shkruar individualisht ose në grup, në stile të ndryshme kaligrafike, në faqe të veçanta të njohura si “kit’as”.

Për më tepër, thënie që përmbajnë këshillat e Profetit Muhamed a.s mbi çështje të ndryshme, të shkruara në pllaka ose pllakata, dhe ato që përmbajnë përshkrimin e karakterstikave fizike dhe të personale të tij, të njohura si “hilja”, kanë qenë pjesë e kaligrafisë Islame, veçanërisht që nga shekulli i XVIII-të. Ngjashëm me këto pllakata, emrat dhe thëniet e tij mund të gjenden të gdhendura edhe në muret e xhamive në forma kaligrafike.

Emri i Profetit Muhamed a.s, në xhami, zakonisht shkruhet (pikturohet) ose mbi mihrab ose në pikën ku plani katror i xhamisë ndërpritet me kupolën. Zakonisht është i kompozuar në formën e një ylli pentagonal që ngjan gjithashtu me një trëndafil të hapur. Për shekuj me radhë, emri i tij ka qenë një objekt i përkryer për veprat e artit, duke u kompozuar dhe dekoruar nga mjeshtrit e kaligrafisë otomane, që shfaqnin gjithë talentin dhe shijet e tyre artistike. Kriteri i vërtetë estetik për fjalën “Muhamed” u ngurtësua plotësisht përmes një stili të ri të gjetur në veprën e Mustafa Rakimit, dhe shembujt më të mirë u ofruan nga mjeshtrit e kaligrafisë si Kazasker Mustafa Izet, Mehmed Sefi dhe Sami Efendi. Përveç mureve dhe pllakatave, emri i Muhamedit a.s, është shkruar, bashkë me atë “Allah”, në zbukurimet e xhamave me ngjyra, zakonisht mbi mihrab, ku luan rolin e një dekorimi shumëngjyrësh.

Pin It