Një grua shkoi te Profeti Daut (a.s) dhe e pyeti si me gjysmë zëri: “O Profeti i Zotit! A është Zoti i drejtë apo i padrejtë?!”
Dauti (a.s) i tha: “E mjera ti! Ai është drejtësia absolute! Pa më thuaj, ç’të ka ngjarë që e bën këtë pyetje?”
Gruaja iu përgjigj: “Unë jam grua e ve dhe nënë e tri vajzave jetime. Siguroj bukën e gojës për vete dhe vajzat me pëlhurat që tjerr në tezgjah. Një ditë, u nisa për në pazar për të shitur punimet e mia, të cilat i kisha mbështjellë me një pëlhurë të kuqe. Teksa isha ulur të marr frymë nën një pemë, vjen një shpend i madh dhe e rrëmben pëlhurën me gjithë punimet e mia dhe fluturon larg. Kjo që më ndodhi ishte një fatkeqësi e madhe për mua, pasi tani s’kam ç’t’iu çoj vajzave të mia për të ngrënë. Prandaj erdha të qaj hallin tim te ti.”
Ndërkohë që Dauti (a.s) po orvatej ta qetësojë, troket dera dhe hyjnë dhjetë tregëtarë. Secili prej tyre mbante në dorë njëqind napolona floriri, të cilat ia zgjatën Profetit Daut (a.s) duke i thënë: “Jepja dikujt që i meriton o profet i Zotit!”
Dauti (a.s) i pyet: “Po ç’ne kështu? Çfarë iu detyroi ta bëni këtë akt bamirësie?”
Ata i thanë: “O Profet i Zotit! Ishim në lundrim dhe për shakak të një stuhie, anijes iu shkaktua një vrimë, nga e cila filloi të hyjë ujë. Në një moment tepër krititk, vjen një shpend i fuqishëm dhe na hedh një pëlhurë me punime dore, me të cilat ne bllokuam të çarën e anijes. Për ne kjo ishte direkt ndihma e Zotit të Lartësuar, për të na shpëtuar jetën. Që aty, ne vendosëm që secili prej nesh do të japë nga njëqind napolona floriri si lëmoshë. Prandaj t’i sollëm që t’ia japësh kujt të duash.”
Dauti (a.s) duke buzëqeshur, iu kthye gruas dhe i tha: “Një Zot që bën biznes dhe investon pasurinë tënde në tokë dhe në det, a mund të jetë përpos se i drejtë dhe i dhembshur?!”