Firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra

Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe me 12.03.1867, në një familje të nderuar, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare, ishte djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuar, Myfti i Dibrës së Madhe.

Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare… Ai zotëronte arabishten dhe osmanishten. Ai jetoi në një kohë kur akoma ishte e freskët Lidhja e Prizrenit. Ai u frymëzua nga libri “Dhe shkronja” e Sami Frashërit.

 Veprimtaria e tij për Shqipërinë

Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit…

Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit…

Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës…

Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë…

Kur Ismail Qemali për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte…

Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë…

Në vitin 1916, nuk qe e rastit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit…

Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1929.

Komuniteti që fitoi njohjen juridike, filloi të botojë revistën e përmuajshme “Zani i Naltë”. Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Në këtë mënyrë autoriteti i Komunitetit Mysliman Shqiptar u rrit shumë dhe vendosi lidhje me shumë vende islame. Më 1935 H. Vehbi Dibra shkon për herë të dytë në Qabe, ku u afirmua si një dijetar islam i kohës.

Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë…

Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari. Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939…

Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Ai do të thoshte në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 se “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”. “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.

Sa herë që fatet e Shqipërisë ishin në rrezik, ai frymëzohej nga porosia e Muhammedit (a.s.) “Dashuria për atdheun është pjesë e besimit”.

Gjithë vepra e Vehbi Efendiut mbetet si një mal në fushën e diturisë dhe kulturës sonë teologjike. Të paharruara e frymëzuese mbeten gjithmonë para nesh vetitë e tij të larta e njerëzore: thjeshtësia, ndershmëria, fisnikëria shpirtërore, dashuria për të renë e për të rinjtë, të cilëve u jepte zemër që po të kishin një shkëndijë, të ndiznin zjarr. Kemi besim se brezat e ardhshëm, në vazhdimësi të mësimeve të fesë do të studiojnë gjithnjë e më thellë veprën e shquar të H. Vehbi Dibrës me mirënjohje dhe nderim të thellë.

Shkëputur nga revista: “Zani i Naltë”

Pin It