80 vjet pa klerikun dhe atdhetarin Haxhi Vehbi Dibra

Më 24 mars 1937 u nda nga jeta Haxhi Vehbi Dibra, klerik dhe aktivist politik shqiptar. Emri i vërtetë i tij ishte Vehbi Agolli dhe lindi në Dibër të Madhe me 12 mars 1867.

Ai është një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Parlamentit të Shqipërisë dhe Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Mësimet fillestare dhe të mesme Vehbi Agolli i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll. Pas kryerjes së studimeve teologjike dhe specializimit në fushën e filozofisë islame, logjikës, shkencave juridike etj, ai u emërua myfti i Dibrës, deri më 1912.

Haxhi Vehbi Agolli punoi gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut, si dhe unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve.

Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 ai do të shprehej:

“Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”.

“Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”.

“Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.

Vehbi Dibra ishte një nga komentuesit më të shkëlqyer të Kur’anit në gjuhën shqipe. Në vitin 1993 botohet në SHBA libri “Ç’urdhnon Kur’ani ?”

Të gjitha cilësitë e teologut islam personifikoheshin te Haxhi Vehbi Dibra, imam dhe haxhi, kryemyfti dhe kryetar senati, vaiz dhe komentues i Kur’anit. Kryesoi dhe drejtoi për vite me radhë teologët më të shquar shqiptarë. Haxhi Vehbiu, me mendimet e tij të larta e progresive, i ftonte njerëzit ta shfrytëzojnë inteligjencën e tyre.

Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Haxhi Vehbi Dibra theksonte se: “Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë… pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue”.

Sipas tij trashëgimia islame e mbetur prej të parëve duhej të bëhej e vazhdueshme në mënyrë që të barazohej me arritjet moderne, “duke i shtyrë kufijtë e diturisë në horizonte me të largëta se ç’kanë parafytyruar teologët dhe dijetarët e parë të trevave tona”.

Pin It