Pjetër Budi, poeti i parë i letërsisë shqipe

Më 1 dhjetor 1622 u nda nga kjo jetë  Pjetër Budi, shkrimtar i letërsisë së herëshme shqipe, autor librash fetarë në shqip. Lindi në Mat më 1566. Budi është poeti i parë i mirëfilltë i letërsisë shqipe,  ai shkroi rreth 3 mijë e 500 vargje me karakter moral e fetar.

Madhështia e njerëzve

(Pjetër Budi)

Ku janë ata pleq bujarë,

që qenë përpara ne,

e ata trima sqimatarë,

të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,

të bukur e të lulzuom,

që pate pamë me sy,

me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,

që dojin me zotënuom

ndë sqimë e ndë madhështi,

këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë

gjithë shekulli nalcuom,

në krye me një kunorë

gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë

t’urtë e dijes të ndëgjuom,

të bardhatë posi borë

letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha

ndë sqimë e ndë madhështi,

me petëkat të mëndafshta

nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi,

sikur i pret me shpatë,

për të ri s’i shikoi,

as të vobegë, as të begatë.

Pin It