Presidenti Nishani uron festën e Kurban Bajramit: Të frymëzohemi për të ndihmuar njëri-tjetrin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Nishani tha se kjo festë është frymëzim për të ndihmuar njëri-tjetrin e për të ndarë të mirat tona me ata që janë në nevojë.

“Me rastin e kësaj Feste të madhërishme të Sakrificës dhe Dhurimit, e cila na frymëzon për t’iu gjindur sa më shumë njëri-tjetrit, për të ndihmuar dhe ndarë pasurinë e mirësinë me më të pafatët, për t’i lumturuar fëmijët me dhurata e për t’u përkujdesur për më nevojtarët, duke sakrifikuar diçka apo gjithçka në frymën e besimit tek Zoti i Plotfuqishëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta”, tha kreu i shtetit.

Në mesazhin e tij Presidenti theksoi bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme, e cila konkretizohet në vendin tonë, duke sjellë në vëmendje shenjtërimin e Nënë Terezës pak ditë më parë.

“Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin! Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit! Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore,” – përfundon urimi i Presidentit të Republikës.

Pin It