Presidenti Nishani vlerëson H. Ali Korçën me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Ali-Korca-dekorate-2

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes) me këtë motivacion: “Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.

Dekorata iu dorëzua nipit të tij gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm kryetari i Komunitetit Mysliman H. Skender Bruçaj, zv/kryetari i Kuvendit z. Edmond Spaho,  kryegjyshi i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, drejtori i Medresesë Tiranë z. Ali Zaimi, akademikë, studiues dhe të ftuar të tjerë.

Presidenti i Republikës në fjalimin e tij nderoi figurën e shquar të Hafiz Ali Korçës duke e konsideruar atë si një personalitet të përmasave të jashtëzakonshme, një burrë i drejtë, dijetar, enciklopedist, poliglot, gjuhëtar, letrar, fetar i devotshëm dhe mbi të gjitha: një atdhetar i flaktë.

“Hafiz Ali Korça do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më identifikuese dhe vizionare të kombit shqiptar. Veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare do të jenë, dhe duhet të jenë, baza për mendimin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të Komunitetit Mysliman në veçanti. Vlerat e njerëzve dhe personaliteteve erudite, si ai janë të qenësishme e të patjetërsueshme në fondin e çmuar të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, prandaj ato nuk meritojnë të lihen në harresë. Ndaj sot, me këtë nderim, që po i bëjmë këtij personaliteti të shquar, besoj se të paktën institucionalisht, po bëjmë një pjesëz të detyrës sonë për ta vendosur Hafiz Ali Korçën në piedestalin e merituar me shpresë se kemi shpërblyer, deri diku kontributin e tij të madh si klerik, si atdhetar, publicist, dhe përhapës i palodhur i dijes dhe kulturës, që ai zotëronte. Le të shërbejë ai në vijimësi si një model dhe burim frymëzimi i pashtershëm për ne dhe për brezat e ardhshëm duke na mëkuar me atdhedashurinë, guximin, largpamësinë, vendosmërinë për të ecur përpara drejt zhvillimit dhe përparimit të vendit tonë së bashku!” – tha ndër të tjera Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani.

Kliko për të lexuar më shumë: Presidenti Nishani vlerëson H. Ali Korçën me Dekoratën “Nderi i Kombit”

 

Ali-Korca-dekorate-3Ali-Korca-dekorate-1  Ali-Korca-dekorate-4 Ali-Korca-dekorate-5

Pin It