Program asistence për DPT nga USAID

drejtoria

Një program i ri asistence teknike i sponsorizuar nga USAID dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), do të rrisë eficiencën në mbledhjen e taksave në Shqipëri, do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të nxisë një transparencë dhe eficiencë më të madhe.

Programi do të zbatohet nga Korpusi i Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare (FSVC) dhe nga Aleanca e Vullnetarëve për Rritjen e Ekonomike (VEGA). I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane, David Muniz, theksoi rolin e rëndësishëm të DPT-së për bizneset: “Është tepër e rëndësishme të nxitet një klimë e ndershme biznesi, duke bërë të sigurt që të gjitha bizneset të funksionojnë sipas, dhe t’u nënshtrohen, të njëjtave rregulla… ‎Për më tepër, rritja e aftësisë së DPT-së për të hetuar subjektet që shmangin detyrime të mëdha tatimore, do të çojë në lehtësimin e barrës për bizneset që zbatojnë ligjin, duke ndihmuar Qeverinë e Shqipërisë t’i përqëndrojë auditimet në bizneset me rrezikshmëri të lartë”, tha ai.

Përmes një sërë vizitash afatshkurtra, ekspertë vullnetarë të nivelit të lartë nga SHBA-ja, BE-ja dhe nga vende te tjera, do të punojnë me stafin e DPT-së për të përmirësuar punën në funksionet kryesore. Ekspertët do të përqëndrohen në rritjen e eficiencës së mbledhjes së taksave, në përdorimin e auditimit tatimor bazuar në rrezikshmëri, në përmirësimin e mbledhjes së informacionit për hetimin e mashtrimit tatimor dhe në ndërtimin e kapaciteteve për të siguruar zbatimin e kuadrit ligjor tatimor.

Pin It