Protesta nesër, Ymeri: “Ky shtet i uzurpuar duhet t’u kthehet qytetarëve”

opozita

Kryetari I Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se protesta e 9 janarit është protestë paqësore, kërkesat e sajë janë legjitime, të drejta dhe të domosdoshme, sepse “ky shtet dhe kjo pasuri e uzurpuar në njërën anë nga Serbia e në anën tjetër nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi duhet përfundimisht që t’u kthehet qytetarëve të Republikës”.

“Nuk mund të kemi edhe shtet me sovranitet edhe zajednicë, nuk mund të ketë edhe integritet territorial edhe falje të tokave Malit të Zi, nuk mund të kemi zhvillim edhe mirëqenie kur Trepça, Ujmani, Brezovica, minierat e Artanës janë në duart e Serbisë. Siç nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Serbi brenda Kosovës, nuk mund të ketë edhe kushtetutshmëri dhe demokraci edhe Isën e Hashimin në krye të qeverisë. Prandaj më 9 janar, ne kemi një kërkesë të vetme dhe ajo është që të bëhemi bashkë në mënyrë që ta shpëtojmë Kosovën ”, tha Ymeri.

Edhe Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj u kërkoi ferizajasve që të shtunën në Prishtinë, te Biblioteka, të jenë bashkë dhe të marshojnë e ta thonë atë për të cilën janë përcaktuar, që nuk kthehet Serbia në Kosovë përmes zajednicës, që nuk cenohet territori i vendit dhe që nuk do të lejojnë që të na udhëheqin ata që sillen kështu, ata që dëshirojnë ta kthejnë Serbinë përmes zajednicës në vend dhe ata që japin nga territori.

“Kjo është një detyrë ndoshta më e lehtë, që kërkohet prej qytetarëve të vendit krahasuar me etapat paraprake çka është kërkuar prej njerëzve të këtij vendi që Kosova me qenë kjo që është sot. E, Kosova është pjesë e trungut shqiptar, ne e dimë se pjesë tjera të vendit tonë s’e kanë pasur fatin, nuk kanë arritur ta gëzojnë atë sa kemi mbërri ne. Po të mos ishte kështu nuk do të ishim ne bashkë kështu si jemi për të qenë bashkë në Prishtinë, ësht ë shumë me rëndësi ,shumë e drejtë që me qenë të shtunën bashkë”, tha Haradinaj.

Edhe kreu i Nismës Fatmir Limaj, ka vënë në dukje se me 23 dhjetor opozita ia ka dalë që të stopojë një të keqe të madhe që I kanosje vendit të tonë.

”Kjo e keqe nuk është eliminuar, do të eliminohet në ditë kur këta njerëz që e kanë shkelur Kushtetutën do të largohen nga qeverisja , prandaj sot jemi këtu për t’ju ftuar në një fazë tjetër, në fazën e dytë, largimin e atyre që e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës, e që sot drejtojnë Qeverinë e Kosovës”, tha Limaj.

Ky tubim i opozitës së bashkuar, siç u tha, është thirrur me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve në prag të protestës së 9 janarit, ndërsa edhe tre liderët lokalë të këtyre subjekteve, Emrush Xhemajli, Xhavit Zariqi dhe Valon Halimi, bënë thirrje që në protestën e së shtunës të dëgjohet edhe zëri i ferizajasve.

Pin It