PSE BESOJ NE FENE ISLAME – IMAM VEHBI ISMAILI

Kur më pyetën dhe kërkuan prej meje të shkoqis pse besoj në fenë islame, përgjigja ime e parë qe se unë besoj në këtë fe, për njat arsye që besoj se në çdo gjë tjetër, pse mendoj që është e vërtetë. Mandej vazhdova të shkoqis, sipas mendimit tim, se baza themelore e çdo feje është besimi në ekzistencën e Zotit dhe marrëdhëniet e njeriut me Të. Kështu që feja që mund të vendosë marrëdhënie të sakta në mes të Zotit dhe njeriut është feja e vërtetë. Vërtetësia e një feje, pa dyshim, është arsye e mjaftueshme për të besuar në të.

Unë besoj në fenë islame për arsye se nuk më shtrëngon të besoj me forcë në parimet që më predikon e që përbëjnë fenë, pse vijnë nga autoritet i njohur, por më shpjegon me prova mirësinë që sjellin ato dhe kërkon prej meje të besoj me konvikcion (bindje) të plotë dhe jo pse e kam trashëguar nga prindërit. Me jep prova logjike dhe bindëse mbi: Qenien e Zotit dhe natyrën dhe Cilësitë e Tija, engjëjt, lutjet dhe efektet e tyre, dekretet hyjnore dhe caqet e tyre, adhurimin dhe nevojën e tij, ligjet hyjnore dhe të mirat që sjellin, ringjalljen dhe jetën pas vdekjes, parajsën dhe skëterrën; lidhur me secilën nga këto që përmendëm, Kur’ani dhe traditat e Profetit a.s., më kanë dhënë shkoqitje të duhura të vërtetuara me prova logjike që e kënaqin dhe e bindin mendjen e shëndoshë. Feja islame pra, më paraqet mësimet e saja në mënyrë që të më shtojnë diturinë dhe më kënaqin intelektin tim, që më shtyjnë ta pranoj këtë fe me besim të patundur, me konvikcion.

Unë besoj në fenë islame se ajo më mëson faktin që nuk ka kundërshtim në mes të fesë dhe të shkencës; nuk kërkon prej meje që të lë pas dore ligjet e natyrës dhe të besoj në gjëra që janë në kundërshtim me to. Përkundrazi, më nxit që ta studioj natyrën e çdo krijese dhe elementi të natyrës që të mund të përfitoj për vete dhe t’i zbuloj sekretet e saja e përdori për të mirën e njerëzimit. Kur’ani, që është fjala e Zotit, që është Krijuesi i tërësisë, ngul këmbë se nuk mund të ketë kundërshtim në mes të fesë që vjen nga Zoti dhe të natyrës dhe shkencës që është krijuar nga Ai. Më mësoj të studioj revelacionin e Tij, të studioj veprat e Tija, natyrën me gjithçka ka në të, që në këtë mënyrë të kënaq kureshtjen e intelektit tim dhe të përfitoj prej tyre, se Ai vetë ka urdhëruar që çdo gjë është krijuar për të mirën e njeriut, por duhet t’i kuptojë që t’i përdori, e pra këto i mësoj duke zhvilluar shkencën. Atëherë si mund të thuhet se ka kundërshtim në mes të fesë dhe të shkencës.

Feja islame nuk kërkon prej meje që t’i shtyp dëshirat apo epshet e mia natyrale, por i drejton në rrugët e saja prodhuese. Nuk kërkon as shtypjen e dëshirave natyrale dhe as nuk më lë pa fre duke i lënë epshet natyrale e të më shndërrojë në një kafshë, por i kontrollon ato dhe i kufizon. Feja islame, si një inxhinier i përsosur që drejton ujërat e parregullta duke i përmbledhur në kanale ujitëse për të bërë të begatshme vendet e lëna djerr, njashtu shndërron epshet e mia nën kontrollimin e nevojshëm, në cilësi morale të larta.

Feja islame nuk më thotë se Zoti të ka dhënë zemër e shpirt dhe të ka ndaluar të dashurosh, dhe as nuk më thotë të ka dhuruar pasuri dhe nuk duhet ta gëzosh. Përkundrazi, më mëson të dashuroj me sinqeritet dhe të martohem që të prodhoj pasardhësit e mi e t’i rris me dashuri dhe edukatë. Më lejon të ha ushqim të mirë dhe të bëj rrojtje të mbarë, por mos t’i kem të mbushura hambarët e mi dhe vëllezërit e motrat e mia të vuajnë, por më urdhëron se në të mirat e mia që m’i ka dhënë Zoti kanë të drejta edhe të varfrit dhe duhet t’i ndihmoj. Kërkon prej meje që të mos flej me bark të mbushur nëse fqinji im është i uritur. Pra në këtë mënyrë, duke vënë dëshirat e mia natyrale në kanalet e duhura krijon në mua ndjenjën humanitare, njerëzore.

Kam arsye të besoj në fenë islame, sepse ka qëndrim të përsosur ndaj meje dhe ndaj botës rreth meje. Më mëson të përmbush detyrat jo vetëm ndaj vetes, por të çdo personi që kam të bëj me të, duke filluar te familja ime, duke më dhënë udhëzimet e prindërve ndaj fëmijëve, dhe detyrat e fëmijëve ndaj prindërve. Nga fëmijët kërkon që të sillen mirë me prindërit dhe t’i përdorin mirë ato, sepse i ka bërë trashëgimtarë të tyre. Nga prindërit kërkon pajisjen e fëmijëve me edukatë, dashuri dhe t’i mësojnë dhe t’i rrisin duke u bërë ata vetë shembull mirësjellje për ta, dhe të kujdesen për mbarëvajtjen e tyre fizike dhe shpirtërore. Krahas kësaj kërkon të ruhet harmonia më e mirë në mes të burrit dhe të gruas duke porositur që secili prej tyre të ketë parasysh nevojat dhe dëshirat e njëri-tjetrit dhe të jetojnë në paqe e dashuri. Kjo është shënuar shumë qartë nga fjalët e Profetit tonë, Muhamedit a.s., i cili ka thënë: “Një person që e përdor keq gruan e tij gjatë ditës dhe e dashuron atë gjatë natës, vepron në kundërshtim me bukurinë e natyrës njerëzore.” Dhe në një rast tjetër ka thënë: “Gruaja është si qelq i çmuar, dhe burrat duhet t’i trajtojnë ato me butësi dhe dhembshuri sikur do të përdornin qelqe delikate (që të mos të thyhet)”.

Islami ka vënë në dukje nevojën e veçantë për edukimin e vajzave: Profeti Muhamed a.s. ka urdhëruar e ka thënë: “Një njeri që edukon vajzën e vet duke i falur asaj një edukatë të shëndoshë e mësim, ai ka fituar parajsën.” Gjithashtu Islami i ka dhënë të drejtë dhe femrave të trashëgojnë, të drejtë që nuk e kishin përpara.

Unë besoj në Islam dhe për arsye se ka vënë rregulla të caktuara për qeveritarët dhe të qeverisurit. U tërheq vërejtjen qeveritarëve se autoriteti që kanë ata nuk është e drejtë e tyre private, por është një detyrë që iu është besuar nga populli dhe ata duhet të kryejnë detyrimet që u janë ngarkuar nga ky besim, si njerëz të ndershëm dhe duhet të veprojnë me drejtësi gjithmonë në bazë të ligjeve Hyjnore për mbarëvajtjen e popullit mbi të cilin sundon. Të qeverisurit i ngarkon që të zgjedhin sunduesit që kanë meritat e duhura, dhe kur ta zgjedhin atë duhet t’i afrojnë bashkëpunim të plotë, përderisa ai të veprojë me drejtësi dhe në bazë të drejtimeve kuranore dhe atyre të Profetit a.s., përndryshe mund ta shkarkojnë nga detyra.

Unë besoj në Islam se ai ka rregulluar të drejtat e punëdhënësit dhe të punëmarrësit. Nga punëdhënësi kërkon që t’i paguajë çka i takon për punën që ka bërë para se t’i thahet djersa, dhe se nuk duhen shikuar nga ata me sy superiori, se ata janë vëllezërit e tyre të cilët Zoti i ka lënë nën kujdesin e tyre. E në anën tjetër, ata janë baza e begatisë së tyre. Ndërsa punëtorin e porosit që kur të marrë përsipër një punë duhet ta kryejë me ndershmëri dhe të mundohet ta bëjë sa më mirë që të ketë zotësi.

Nga ata që janë pajisur me fuqi fizike kërkon që mos të sillen harbut ndaj të pafuqishmit dhe mos t’i trajtojnë me përbuzje ata që vuajnë nga ndonjë e metë, këta e kemi detyrë t’i ndihmojmë dhe jo t’i marrim me sy të lig dhe t’i shikojmë me përbuzje.

Islami detyron të pasurin që të ketë kujdes për të varfrit. Kërkon nga ai që të ndajë të dyzetën e fitimeve të tij për çdo vit, që të përdoret për të përkrahur dhe ndihmuar ata që nuk kanë mjete të shkojnë përpara. I urdhëron të pasurit që atyre që kanë nevojë t’u japin të holla pa interes të cilën e ndalon rreptësisht, se Zoti me madhëri të Tij nuk ia ka dhënë pasurinë që të jetojë vetë në luks, por dhe t’u vijë atyre që ta përdorë dhe për zhvillimin e njerëzimit, duke vepruar në këtë mënyrë, fiton dashurinë e të varfrit në këtë botë dhe shpërblehet nga Zoti në botën tjetër.

Nga ana tjetër, të varfrit i mësoi se puna sado e ulët që të jetë është e ndershme, dhe se nuk duhet të ketë turp të punojë. Na tregohet se njëherë në kohë të Profetit, një mysliman shkoi tek ai të lypte, të parën herë i dha dhe të dytën e pyeti nëse kishte gjë që të shiste, dhe kur ai i tha se kishte diçka, i tha shite, dhe bleu një litar dhe një sëpatë dhe e dërgoi të presë dru. Kështu që qe në gjendje të siguronte jetesën, atëherë i tha se kjo është më e mirë se të lypësh.

Duke detyruar dhënien e zekatit, Islami e shtyn të pasurin t’i japë një pjesë të pasurisë së tij të varfrit, kështu që ky i fundit nuk e shikon atë me smirë, e cila verbon mendjen dhe e pakëson vlerën e njeriut që cilësohet me të. Qeveritë i porosit që të vërë në dispozicion të atyre që nuk kanë ndihma dhe lehtësira për të varfrit që kështu dhe ata të kenë mundësi të bëjnë jetesë të mirë.

Unë besoj në Islam se urdhëron lirinë e besimit. Në Kur’an lexojmë: “Nuk ka shtrëngesë në fe.” Dhe feja islame, në pesë shtyllat e besimit ka vënë dy: 1. Besimin në tërë Profetët dhe 2. Besimin në të gjithë librat e zbuluara (të bëra revelatë), me këto dy parime më urdhëron të respektoj dhe të nderoj të gjithë pasuesit e feve të tjera dhe librat e tyre, e pra më nxit që të rroj në paqe e harmoni me besimtarët e tëra feve, përderisa nuk më ndërhyjnë në lirinë time fetare. Feja islame më mëson se asnjë komb ose shtet nuk duhet të sulmojë tjetrin, por kërkon që të gjithë të jetojnë në harmoni dhe duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për mbarëvajtjen e tërë njerëzimit.

Me pak fjalë, unë besoj në fenë islame se ajo me mësimet e saja më siguron një jetë të lumtur dhe paqësore me parimet e saja, si në rrethin tim të ngushtë familjar, ashtu dhe në komunitetin dhe mbarë njerëzinë, e pra ata që duan të kenë lumturi në të dy jetët, në këtë fe gjejnë çka ju nevojitet për mbarëvajtjen e tyre materiale e shpirtërore, se ajo u thotë: Punoni për këtë botë sikur mos të keni për të vdekur kurrë, dhe punoni për jetën tjetër sikur të keni për të vdekur nesër.

Kush mund të më tregojë mua një sistem tjetër më të përsosur që e trajton jetën e njeriut në çdo pikëpamje me hollësi si feja islame?!

 

Pin It