Ramazan 2016, iftari i parë ka pamje të ndryshme në vende të ndryshme të botës

Miliona myslimanë nëpër botë çelën më 6 qershor iftarin e parë për Ramazanin e këtij viti. Gëzimi dhe emocionet janë të ngjashme në shumë vende, por tryezat e iftarit dhe vështirësitë në disa shtete nuk i ngjajnë njëra-tjetrës.

Për shumë myslimanë që jetojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, ky Ramazan pritet të jetë shumë i vështirë. Në qytetin Madaja ku 40.000 myslimanë jetojnë prej disa muajsh nën rrethimin qeveritar, 32-vjeçarja Mumina dhe bashkëshorti i saj planifikojnë t’i bëjnë iftaret me ndihmat ushqimore të Kombeve të Bashkuara.

Pakot përmbajnë perime bishtajore dhe konserva, por sigurisht “nuk ka ëmbëlsira, nuk ka mish, nuk ka bulmet. U përpoqëm të mbillnim disa perime, por toka është e papërshtatshmë në këto kohë,” – thotë ajo.

“Ka shumë pak ushqim në markete dhe është tepër i shtrenjtë, aq sa nuk mund ta blejmë”, – shton ajo duke thënë se për iftarin e parë do të gatuajë fasule.

Shadi Matar, një aktivist nga Daraja, pohon se ata do të ushqehen vetëm me zarzavate për iftar, por me një pamje krenare thotë:

“Ne kemi shumë zgjedhje. Kemi majdanoz, rrepa, koriandër, rukola, spinaq dhe ndonjëherë mund të gjejmë edhe kunguj të njomë. Por ka njerëz të tjerë që nuk i kanë këto mundësi”.

Rreth 8 mijë njerëz jetojnë në Daraja, ku më 1 qershor mbërritën ndihmat e para ushqimore që prej fillimit të rrethimit shtetëror në vitin 2012.

Në radhë për domatet

Në një qytet të Irakut Abu Muhamed al-Dalaimi, baba i gjashtë fëmijëve, shprehet i shqetësuar për mënyrën e sigurimit të ushqimit për familjen e tij gjatë Ramazanit. Rreth 50 mijë familje jetojnë të rrethuara nga shteti i vetëshpallur i ISIS, shumica janë larguar jashtë Irakut dhe kanë mbetur vetëm ata që nuk e përballonin dot largimin.

“Duhet të ngrihemi në orën 05:00, të qëndrojmë në një radhë të gjatë për të paguar $4.50 për një kilogram domate”, – tha ai për AFP.

“As nuk mundem të shkoj vetë, duhet të dërgoj dikë tjetër, sepse që të të japin ushqim duhet të kesh mjekër të gjatë dhe veshje si të militantëve”, – vijon al-Dalaimi rrefimin e tij.

Në disa pjesë të botës myslimanët janë përgatitur për ta shënuar Ramazanin me shumë shpenzime, përfshirë këtu mbretëritë e pasura të Gjirit.

Hoteli Burxh al-Arab në Dubai tha se do të shërbejë “një sërë ëmbëlsirash të shijshme tradicionale” në iftar për $110 për person.

Agjërimi i Ramazanit është një nga pesë shtyllat e islamit dhe është një muaj gjatë të cilit besimtarët duhet të përkushtohen në devotshmëri dhe bamirësi, mëshirë dhe bujari. Kryebashkiaku i ri i Londrës, Sadiq Khan, e theksoi këtë në një shkrim të publikuar në faqen e internetit të “The Guardian”, duke thënë se “Ramazani është një mundësi për të ndarë bukën dhe për të ndërtuar ura bashkuese mes komuniteteve”.

Pin It