Raste rekord në orët e fundit! 3 u infektuan në një funeral, 5 personel shëndetësor/ Shtohen shtrimet

Në 24 orët e fundit u shënua numër rekord infektimesh me koronavirus, plot 42.

Konkretisht 21 raste u shënuan në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, një rast në Pukë, një në Berat dhe një në Urën Vajgurore.

Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër.

Tre rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore.

Në 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 personel, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere.

Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana.

Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me Covid-19, ndërkohë që është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv.

Ndërkohë janë shëruar 20 të prekur nga Covid-19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 327 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 205; Shkodër 38; Krujë 27; Kamëz 19; Durrës 14; Mat 9; Lushnje 6; Tropojë 2; Korçë 1; Librazhd 1; Mallakastër 1; Lezhë 1; Pukë 1; Berat 1 dhe Ura Vajgurore 1.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1341 raste.

Pin It