Rekrutimi në FA, mundësi shumë e mirë punësimi

maxresdefault

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u takuan sot me 24 administratorët e njësive administrative të kryeqytetit, lidhur me fushatën e aplikimit për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura.

Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i komunitetit dhe sidomos të rinjve, që të marrin në konsideratë rekrutimin në Forcat e Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli foli gjithashtu edhe për privilegjet që një i ri gëzon pasi rekrutohet në FA. “Dikush që pranon të bëhet pjesë e FA ka mundësi të jashtëzakonshme në jetë. Studentët tanë studiojnë në akademitë më të mira dhe më të rëndësishme botërore ushtarake. Profilizohen dhe marrin specialitete nga më të rrallat, gjë që i bën ata të pazëvendësueshëm. Ka mundësi të rriten në gradë. Kanë mundësi të trajnohen edhe mbasi shkollohen. Por kanë edhe mundësi të një shërbimi shëndetësor të një natyre të veçantë, shumë të privilegjuar. Po kështu më të privilegjuar mund të jenë edhe për sa i përket strehimit apo të trajtimit të tyre, për gjithçka që në jetën e përditshme mund të kthehet në problem kur nuk merr një zgjidhje” tha ajo.

Duke folur për reputacionin që sot FA gëzojnë në botë si pjesë e NATO­s, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, u shpreh gjithashtu krenar që vinte nga një familje ushtarakësh dhe përgëzoi ministren Kodheli për reformat. Ai e konsideroi si një mundësi të jashtëzakonshme punësimi, shansin që i jepet të rinjve, si shtresa që vuan më shumë papunësinë. “Ky rekrutim është shumë ndryshe nga fletëthirrjet e një kohe, kur shërbimi ushtarak ishte i detyruar. Sot flasim për rekrutim profesionist, për një punë nga më të mirëpaguarat. Unë i shoh fazat e rekrutimit të pranverës dhe të vjeshtës, 300 tani dhe 300 në fund të vitit, si një mundësi fantastike për 600 të rinj të Tiranës”, tha kryetari i bashkisë Veliaj, i cili ftoi administratorët që të identifikojnë më të mirët për një ushtri të NATO­s. Duke parë interesimin e madh dhe për t’i dhënë mundësi të gjithë të rinjve që duan t’i bashkohen Forcave të Armatosura, fushata e aplikimeve do të shtyhet deri më 1 mars të këtij viti.

Pin It