Reporterët pa Kufij: 74 gazetarë u vranë gjatë 2016

Organizata joqeveritare “Reporterët pa Kufij” publikoi raportin vjetor për vitin 2016, sipas të cilit të paktën 74 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në mbarë botën gjatë këtij viti. Shumica e tyre, konkretisht 53 persona, janë vrarë si pasojë e sulmeve të shënjestruara.

Sipas raportit vendet me nivelin më të lartë të rrezikshmërisë janë Afganistani, Jemeni, Meksika, Iraku dhe Somalia, ku siguria dhe liria e medias është pothuajse inekzistente.

“Afganistani është një shembull klasik, edhe pse Gjermania nuk dëshiron ta dëgjojë, sepse gjithmonë është përpjekur ta portretizojë si të sigurt”, tha drejtori i RSF për Gjermaninë, Christian Mir.

“Këtë vit numri i kërkesave emergjente nga gazetarët në Afganistan, të cilët kthyen vështrimin nga ne për të kërkuar ndihmë, u rrit ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar kur shteti nuk kishte kontroll në shumë rajone dhe kryekomandantët rajonale ishin në krye”, shtoi Mir.

Raporti tregon se nga 74 gazetarë të vrarë, 21 gazetarë vdiqën ndërsa punonin në zonat e luftës, ndërsa pesë prej totalit të viktimave ishin femra.

Numri i vitit 2016 ishte më i ulët se totali i vitit të kaluar prej 101 gazetarëve, duke qenë se shumica e gazetarëve u larguan nga vendet ku ata ishin në rrezik.

Sipas RSF-së gjithashtu arrestimi i 348 gazetarëve në të gjithë botën tregon një rritje prej gjashtë për qind krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë raport thuhet se ndër vendet me numrin më të lartë të gazetarëve të arrestuar është edhe Turqia, e cila kalon edhe Kinën në renditje.

Pin It