Revista “Zani i Naltë”, një model etik i komunikimit ndërreligjioz

mark-marku

Botimi i “Zani i Naltë” në vitin 1923 përkon me një fazë të rëndësishme të shtetit shqiptar dhe komunitetit mysliman shqiptar. Në këtë vit shoqëria shqiptare e organizuar nën shtetin shqiptar dhe jashtë kufijve të tij po kalonte një fazë delikate e të rëndësishme të historisë së tij.

Pas gati një dekade prej themelimit të tij në vitin 1912, periudhë e mbushur me rreziqe për ekzistencën e shtetit të ri shqiptar, por edhe me dështime, shteti shqiptar po kalonte një proces të vështirë stabilizimi, proces ky i rrezikuar tashmë jo nga faktori i jashtëm, por nga tensionimi i faktorëve të brendshëm. Ndërkohë që komuniteti mysliman shqiptar në të njëjtën periudhë po kalonte një proces gjithashtu historik: riorganizimin si komunitet mysliman shqiptar autonom.

Studiuesi Ali M. Basha në librin e tij “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”, thotë se “qysh në vitet 1916-1917, ndonëse periudhë lufte, u bënë disa hapa të rëndësishëm për organizimin dhe strukturimin e fesë islame në vendin tonë”. Në vitin 1923, më 24 shkurt, u mbajt Kongresi Mysliman Shqiptar, i cili de facto shënoi krijimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të shkëputur nga Kalifati i Stambollit një vit para se parlamenti turk të merrte vendim për dhënien fund të Kalifatit të Stambollit në vitin 1924.
Ky akt i përgjigjej jo vetëm një nevoje të brendshme organizimi të myslimanëve shqiptarë, por edhe vetëdijes, përgjegjësisë dhe luajalitetit ndaj shtetit të ri shqiptar dhe shoqërisë së re. “Zani i Naltë”, që me themelimin e saj në vitin 1923 dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij, përmbushi pikërisht këtë nevojë dhe këtë përgjegjësi. Ai qe dhe vazhdon të jetë një instrument i rëndësishëm komunikimi për bashkësinë e besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe një zë i respektuar në shoqërinë shqiptare. “Zani i Naltë” i ka qëndruar besnik programit të shpallur që me themelimin e tij.

Ky program konsistonte në këto pika:
1. M’e bashkuem në nji trup të fortë e të qindrueshëm popullin Mysliman shqiptar.
2. Me përmirësuem gjendjen e vakufevet, Xhamijave, Mesxhiteve, të Medresevet, të Teqevet e të tjera institutevet të Mysliman të kësi sojit.
3. Me ia zbuluem popullit Mysliman shqiptar të vërtetat e besimit në nji mënyrë të thjeshtë e të panerlikuem, tue i a ngrohun këtij zemrën në dashtni për këto të vërteta.
4. Si mbas statutit me plotsue vllaznin ndërmiet të gjithë elementeve në Shqipëni.
5. Me këto miete mandej me forcuem edhe themelet e nji politikës së shëndoshë e fjesht kombëtare në shtetin tonë.

Gjithë koleksioni i pasur i kësaj reviste ndër vite dëshmon pikërisht realizimin hap pas hapi të vizionit që kanë pasur themeluesit e saj në fillim të jetës së revistës, besnikërinë ndaj këtij vizioni.
Si instrument komunikimi revista është një model mjaft i mirë i komunikimit efikas fetar në Shqipëri. I mbështetur në fjalën e tij, besimi ka institucionet e veta: librat e shenjtë, institucionet e kultit dhe më vonë mediat. Libri dhe shtypi i shkruar si formë e përhapjes së besimit janë përvetësuar shumë shpejt nga institucionet fetare. Komuniteti Mysliman Shqiptar, si komunitet fetar, e nis jetën e tij duke i dhënë një rëndësi të veçantë shtypit si element efikas për përhapjen e besimit dhe di ta përdorë atë me efikasitet. Shndërrimi i diskursit religjioz në një diskurs mediatik realizohet në mënyrë mjaft efikase te “Zani i Naltë”. Mes revistave fetare të botuara në Shqipëri ai përbën një model më vete. Besimtari mysliman, por jo vetëm ai, komunikon me institucionet e tij në mënyrë të ndërmjetësuar përmes mediave me një gjuhë që është e tija, pra e thjeshtë, e kuptueshme, por jo e thjeshtëzuar. Është një komunikim që krijon njëherësh vetveten si kod komunikimi dhe komunitetin e përdoruesve të këtij kodi, komunikuesit besimtarë. Parë nga ky këndvështrim, “Zani i Naltë” përbën një model mjaft interesant studimor.
Por revista “Zani i Naltë”, si dhe një pjesë e mirë mediave fetare në Shqipëri, paraqet një simbiozë mes botës së kulturës dhe botës së besimit. Kjo revistë shndërrohet në një instrument të rëndësishëm jo vetëm komunikimi religjioz, por edhe në një forum kulturor. Si revistë fetare, asaj i duhet të përballojë sfidën e shekullarizimit dhe të laicizimit të kulturës, trend ky mbizotërues në kulturën e shekullit të njëzet. Ky trend me anët pozitive dhe negative të vetat (sipas këndvështrimit), ka sjellë një delegjitimim të përmbajtjeve fetare në produktet kulturore, madje në ekstremin e vet shkon deri në paradoks: kundërvënien mes fesë dhe kulturës, a thua se prania e njërës përjashton automatikisht tjetrën, a thua se besimi nuk është pjesë e sferës së kulturës së përgjithshme të njerëzimit. “Zani i Naltë”, si revistë fetare, është natyrshëm kundër një trendi të tillë, ashtu sikurse janë të gjitha revistat fetare pavarësisht besimit që i përkasin. Ajo mban gjallë një koncept kulturor për botën, një mënyrë të vështruari të botës dhe trajtimi të dukurive të saj nisur nga këndvështrimi i besimit islam. Ajo i pasuron këndvështrimet për botën me këndvështrimin e saj dhe me këtë u shërben si besimtarëve myslimanë shqiptarë, ashtu edhe kulturës shqipe.
Por, dhe këtu, ajo shfaqet si model etik. “Zani i Naltë” e nxjerr zërin e saj, jo “nalt” në kuptimin e tonalitetit, jo ekskluzivisht, jo agresivisht. Ajo është e vetëdijshme për një realitet multikulturor, multifetar, për një realitet plural nga pikëpamja e ideve dhe këndvështrimeve. Ajo zgjedh rrugën e respektit për këtë realitet. Pikërisht mbi këtë vetëdije ndërton një model etik që e respekton “zanin” e të tjerëve. Një model i tillë që e respekton zërin e tjetrit në komunikimin mediatik shqiptar dhe në hapësirën tonë publike mbështetet jo në hipokrizinë, as në “tradhtinë” ndaj besimit tënd. Ajo mbështetet në kurajën qytetare, në besimin e thellë, në kulturën e vërtetë. Nisur nga një praktikë sociale e ndërlikuar, ajo shkon drejt një modeli etik të komunikimit ndërreligjioz. Kontributi i “Zani i Naltë” për ndërtimin e këtij modeli është i rëndësishëm dhe tashmë përbën një traditë që duhet njohur dhe ndjekur. Botimi i plotë i koleksionit të kësaj reviste i shërben pikërisht këtij qëllimi.

Prof. assoc. dr. Mark Marku

 

Pin It