Biblioteka Këlliçi, një shtëllungë dijeje

doreshkrimet111

Biblioteka Këlliçi apo Tabaku në Shkodër ishte e pasur sidomos në libra në gjuhët e Lindjes në fillim të shekullit të 19-të. 150 vjet më parë ajo kishte mbi 3000 libra të dijeve të ndryshme dhe shumë dorëshkrime të vlefshme. Biblioteka ndodhej në lagjen e Tabakëve pranë kështjellës Rozafat. Ishte një ndërtesë dykatëshe, e pajisur me mjete e orendi dhe me fonde të ruajtura mirë. Shumë të huaj që kanë vizituar Shkodrën kanë shkruar edhe për këtë bibliotekë që erdhi duke e rritur fondin e librave.

Kjo bibliotekë konsiderohet edhe vend historik, sepse këtu ka bërë mbledhjet më të rëndësishme Komiteti i Degës së Shkodrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Drejtuesi i kësaj biblioteke Isuf Tabaku (1797-1905) njeri i ditur dhe patriot, ka meritën kryesore në krijimin, mbajtjen e pasurimin e saj. Kështu ndodhi në historikun e kësaj Biblioteke, historia të jetë pranë librit e libri të jetë pranë historisë. Isuf efendi Tabaku i mbështjellë me pelerinën e vërtetë të Lirisë rri krenar plot urtësi në shtatoren prej libri.
Dhe kështu i vazhdoi ditët kjo Bibliotekë që dritësonte dhe përhapte dritën e shumë hoxhallarëve të ditur, të shkencëtarëve të heshtur, të ylemave të vlertë, të shumë e shumë njerëzve të heshtur që dhanë e dhanë pafund dituri për mbarësinë e njerëzimit, të qytetit të tyre, duke e gdhendur atë përmes diturisë e urtësisë.

Xhahid Bushati

Pin It