Rihapet pas 7-vitesh punishtja “Artizanet e Antigonesë”, ruhet tradita dhe nxitet ekonomia

 

Rihapet pas 7 vitesh punishtja “Artizanet e Antigonesë” në Gjirokastër, falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ishte e pranishme në rihapjen e qendrës u shpreh se qëllimi i Ministrisë së Kulturës, nuk është vetëm ruajtja e trashëgimisë, por nxitja e një aktiviteti fitimprurës, i cili mund të kthehet në një aktivitet të pavarur.

“Jemi në ditën e hapjes së njërit prej projekteve të Ministrisë së Kulturës që është “Zhvillimi i artizanatit”. Ky është një projekt që ne e kemi zhvilluar në disa treva të Shqipërisë, që nga Zogaj në Shkodër e deri në Antigone, këtu në Gjirokastër, nga Korça në Krujë, nëpër zona e fshatra në të cilat është ruajtur tradita e dijebëries, qoftë e punimit të leshit, e shajakut apo e qeramikës”, tha Kumbaro.

Ministria e Kulturës ka një strategji për nxitjen e tyre jo vetëm si ruajtje e trashëgimisë kulturore, jo vetëm si ruajtje e artizanatit, por edhe për t’i nxitur komunitetet për një aktivitet ekonomik i cili nga mbështetja të mund të kthehet në një aktivitet të pavarur.

“E nisëm në Antigone, ku modelin e gjetëm të gatshëm, në këtë qendër të krijuar 10 vite më parë, por që për vite të tëra ky lloj aktiviteti ishte ndërprerë. Kjo është arsyeja pse me këtë aktivitet ne nisëm inaugurimin e një serie të tërë punimesh. Jam shumë e kënaqur të shoh këto gra të cilat e përcjellin punën në breza të ndryshëm. Kemi detyrë jo vetëm t’i mbështesim dhe t’i nxisim, por edhe të mësojmë prej tyre”, tha Kumbaro.

Në këtë projekt marrin pjesë rreth 30 gra e vajza nga kjo krahinë, të cilat do të mundësojnë tek brezi i ri dijebërjen e punës artizanale të punimit në avlemend.

Pin It