“Romeo e Zhuljeta”, historia e dashurisë në Teatrin Metropol

Uilliam Shekspiri u rikthye përsëri në skenën e Teatrit Metropol. Pas veprës së “Nata e 12” kësaj here një tjetër kryevepër, “Romeo e Zhuljeta”, shoqëroi këtë fundjavë publikun kryeqytetas.

Historia e njohur e dashurisë midis Romeos dhe Zhuljetës, e sjell në skenë nga regjisorja Sonila Kapidani dhe nën interpretimin e Roerd Toçe në rolin e Romeos, Sheila Domi në Rolin e Zhuljetës, Klesta Shero, Edvin Mustafa, Ermir Jonka, Delvis Bejleri dhe Aleksander Mitrollari ngre pikë- pyetjet e mëdha për jetën. A duhet të jemi besnikë ndaj ndjenjave tona? Po ndaj familjes? Po ndaj parimeve tona? Po ndaj autoritetit- Princit?

Sipas regjisores shfaqja është menduar dhe realizuar për grupmoshën e të rinjve me qëllim njohjen, por edhe hapjen e bisedave mbas-shfaqje mbi pyetje të rëndësishme shoqërore që ngre vepra mbi problemet shoqërore .

“Ne, zgjodhëm sallën e rrumbullakët për të prezantuar punën tonë. Për ne historitë janë mënyrë shumë e mirë komunikimi njerëzor dhe përdorimi i gjuhës vjen si kuptim i nevojës për ndarje mendimesh e përvojash njerëzore”, shprehet regjisorja e veprës Sonila Kapidani.

Të rinjtë kishin mbushur sallën ovale të Teatrit Metropol duke parë më nga afër këtë histori dashurie e cila vazhdon të mbetet historia e dashurisë me e bukur dhe me intriguese ndër shekuj.

Romeo e Zhuljeta është një tragjedi e publikuar në vitin 1597 nga William Shakespeare. Ajo tregon historinë e dy të dashuruarëve, fiset e të cilëve janë armiq. Drama që mbaron me vetëvrasjen e Romeos dhe Zhuljetës është një nga veprat më të njohura të William Shakespeare-it dhe një nga historitë dashurie më të famshme të letërsisë botërore. Tragjedia në qytetin italian të Veronës vepron mbi dashurinë të Romeos dhe Zhuljetës, që bëjnë pjesë në dy fise armiqësorë, atyre të Montague-ve (Romeo) dhe të Capulet-ve (Zhuljeta).

ATA

Pin It