Rreth 55 mijë vizitorë kanë ndjekur “Kryeveprat e artit italian të 900-­ës”

E konsideruar si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Tiranë, ekspozita “Kryevepra e artit italian” pas tre muajsh po largohet. Mbi 60 protagonistë të shquar të artit italian, si Giacomo Balla, De Chirico, De Carolis, Vittorio Grassi, Carlo Levi, Alberto Savinio e më gjerë janë ekspozuar më 16 janar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Suksesi ka qenë i madh pohon deputeti Artan Gaçi, një nga mbështetësit kryesor kësaj ekspozite. Gaçi pohon se kjo ekspozitë që qëndroi e hapur për 77 ditë u vizitua nga 54.169 vizitorë, me një mesatare prej 700 njerëz në ditë, duke përfshirë dhe nxënësit e shkollave.

Pikturat e 900-­ës i kanë vizituar rreth 630 klasa me rreth 19.000 studentë. Mes rreth 55 mijë vizitorëve përfshihen të ardhurit nga Durrësi, Kavaja, Lushnja, Gjirokastra, Korça, Malësia e madhe, Kosova, e më gjerë, por edhe turistët nga Italia, Polonia, Japonia, Gjermania, Holanda, Amerika, Zvicra, Greqia, e vende të tjera. Artan Gaçi, shprehet se pas suksesit me kryeveprat italiane do të tentojë të vijnë edhe veprat origjinale të Pablo Pikasosë nga Parisi.  Gina Ingrassia, koordinatorja e ekspozitës, është shprehur se ka ndjerë një kënaqësi të madhe që mediat shqiptare dhe italiane kanë pasqyruar suksesin e kësaj ekspozite duke rikujtuar piktorët më të mirë të Italisë. Të 100 veprat e ekspozitës që kanë qëndruar e hapur nga 16 janari deri në 2 prill të këtij viti shërbyen si një udhëtim në historinë e artit italian të shekullit të XX. Ekspozita u kurua nga Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani.

Mbërritja e kryeveprave italiane të 900­s në Tiranë u mundësua nga Arthemisia Group, Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Ministria e Kulturës, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.

Ekspozita ‘Kryeveprat e artit Italian të viteve 1900” ishte e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë deri në datën 2 prill 2017. Në këtë ekspozitë u shfaqën më shumë se 100 vepra të Galerisë të Artit Modern të Romës. Projekti ishte një bashkëpunim mes palëve publike dhe private dhe u promovua gjerësisht nga vetë Kryeministri Rama, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës, Ministria e Kulturës në Shqipërim Bashkia Tiranë dhe Galeria Kombëtare e Arteve si dhe me bashkëpunimin e Grupit Arthemisia, shoqëri lider në nivel ndërkombëtar për artin dhe  kulturën e cila synon të vijojë investimin e përhapjes së artit në Shqipëri

Pin It