”Kultura buknore e Kosovës”, historia e kulturës kulinare dhe gastronomike e Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Departamentin e Etnologjisë në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) kanë zhvilluar në sallën e konferencave të IAKSA seminarin e gjashtë “Përthyerje antropologjike” me temë “Kultura buknore e Kosovës: ndryshimet dhe vazhdimësitë”, me pjesëmarrjen e veçantë të Dr. Arsim Canolli, pedagog i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe antropologë, studiues, etnografë, muzikologë, etj.

Në ligjërimin e tij Dr.Arsim Canolli u ndal në “ndryshimet kryesore të kulturës buknore të Kosovës” duke sjellë për të pranishmit përvojën dhe hulumtimet e tij shumë vjeçare në një fushë relativisht të re si ajo e antropologjisë së ushqimit. “Kultura buknore nënkupton të gjithë sjelljen, praktikat, shprehitë, traditat, normat dhe aspekte të tjera të jetës njerëzore në kuadër të ngrënies, prodhimit dhe konsumit të ushqimit” u shpreh Dr. Canolli, i cili prezantoi “disa pamje empirike e historike të kulturës kulinare dhe gastronomike të Kosovës në kuadër të ndryshimeve dhe vazhdimësive të jetës sociale dhe praktikave kulturore”.

Në parashtrimin e studimit të tij Dr. Arsim Canolli u ndal në “interpretimin që vjen nga një ‘fenomenologji e histori nistore’, duke sjellë për të pranishmit “një skicë e kulturës buknore të Kosovës” si dhe duke analizuar disa nga konceptet, praktikat dhe proceset e dinamikat e saj si nga ana gastronomike dhe kulinare ashtu edhe sociale e saj. “Kultura buknore e Kosovës, nga njëra anë, njeh zhvillimin e varianteve të njëjta, të ndryshme dhe të ndryshueshme të jetesës shqiptare, nga ana tjetër, interpreton prirjen e përafrimit të kulturës shqiptare sot”, përfundoi ai. Dr. Arsim Canolli, pedagog i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, është autor i “Premisa antropologjike” (2016) dhe “Kultura K” (2009), si dhe përkthyes i “Krimi dhe doket në shoqërinë e egër” të Bronislaw Malinowskit.
“Përthyerje antropologjike”, i kthyer tashmë në një traditë të suksesshme, është konceptuar si një seminar i Departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, në të cilin prezantohen monografi, studimet më të fundit në këtë fushë si dhe shfaqja e filmave antropologjikë, që synojnë të nxisin e ftojnë në diskutim studiues, antropologë, etnografë, studentë, etj.

Filmi i parë antropologjik “Shqiptarët e Rrogamit”, realizuar nga antropologia norvegjeze Berit Backer në bashkëpunim me regjisorin David Wason, në1991, si një formë për të kujtuar se prej nga vijmë, jo vetëm si ‘truall’ por edhe si ‘kohë e gjendje’ njerëzore, çeli ciklin e seminareve permanente antropologjike. Takimet vijuese pasuan me prezantimet e dy studimeve të rëndësishme: monografia “Nën Shenjën e Modernitetit: Antropologji e proceseve proletarizuese gjatë socializmit shtetëror” (2015) me autor Dr. Olsi Lelaj, që shqyrton proceset klasëformuese në Shqipëri gjatë komunizmit, si dhe studimin më të fundit të Prof. asoc. Dr Nebi Bardhoshi “Antropologjia e kanunit”, në të cilën problematizohet debatin teorik në dijet sociale, kryesisht në antropologjinë e së drejtës.

Kinematografia mund të jetë medium për analiza sociale dhe antropologjike. Këtë e dëshmon edhe filmi “Para shiut” (1994) i regjisorit maqedonas Milcho Manchevski, prezantuar për publikun shqiptar në takimin e katërt të “Përthyerje antropologjike”. Një rrëfenjë për urrejtjen dhe dashurinë, për luftën ndëretnike dhe tmerret e saj, duke tentuar të kapë dimensionet e konfliktit etnik në Maqedoni, se çfarë qëndron në thelb të ndarjes etnike, si pengohet vetja kolektive të komunikojë me tjetrin kolektiv. Prej vitit 2016 seminari “Përthyerje antropologjike” zhvillohet në “Auditorium-in” e Bibliotekës Kombëtare të premten e fundit të çdo muaji. /ATA

Pin It