Sekretari amerikan i shtetit John Kerry ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me Presidentin Nishani, kryemininistrin Edi Rama si dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Kerry ka theksuar nevojën e reformave që kanë të bëjnë me rrugën kundër krimit dhe korrupsionit ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se kuvendi do të kalojë reformën në drejtësi në muajin mars.
Vendi është në rrugën e duhur të reformave, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit dhe shtetit ligjor.
Ky ishte ndër të tjera, mesazhi i dhënë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në deklaratën për shtyp të mbajtur pas takimit me kryeministrin Edi Rama.
“Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur dhe jam besimplotë që ndërgjegjësimi është përqafuar sa i përket legjislacionit për luftën kundër korrupsionit. Më ka bërë përshtypje hartimi i dekriminalizimit. Jam i inkuruajuar nga paketa e reformës në drejtësi dhe dëshiroj të theksoj që kjo është diçka që politika po punon fort që të realizohet. Kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA është këtu në krahun tuaj, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre”, deklaroi Kerry.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama konfirmoi që pjesë e bisedimeve ka qenë edhe reforma në drejtësi. Ai shprehu bindjen se Kuvendi do ta kalojë atë brenda muajit mars dhe këtë bindje e bazoi në inkurajimin e marrë nga kryediplomati amerikan.
Fillimisht sekretari Kerry është pritur në aeroport nga Presidenti Nishani, i cili i shprehu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euro-Atlantike.
Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.
Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ashtu siç ishte parashikuar, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry është takuar edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha, pas takimeve që pati në Kryeministri me ministrin e Jashtëm Bushati, si dhe kreun e qeverisë Rama.
Takimi i kryediplomatit amerikan me kryeopozitarin shqiptar është zhvilluar në ambientet e Hotel “Rogner”, teksa Bashën e kanë shoqëruar edhe disa prej deputetëve demokratë, duke nisur me kreun e grupit parlamentar, Edi Paloka, me nënkryetarin e partisë, Edmond Spaho, si dhe Jorida Tabaku e Aldo Bumçi.
Edhe në këtë takim, Sekretari Kerry ka theksuar nevojën e miratimit të reformave kryesore në vend, me në krye atë të drejtësisë, si një gur themeli drejt avancimit të Shqipërisë në BE.