Pas suksesit në Bienalen e Arkitekturës në Çikago ku merrnin pjesë 140 arkitektë dhe urbanistë të zgjedhur nga 20 vende të botës, sheshi “Skënderbej” është zgjedhur si një nga 25 projektet finaliste për Çmimin Evropian për Hapësirën Publike 2018.
Lajmi që bën krenar çdo shqiptar për këtë kryevepër arkitekturore është dhënë nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj në twitter.
“Është e mrekullueshme të shohësh sheshin tonë “Skënderbej” të përzgjedhur si finalist për Çmimin Europian për Hapësirën Publike 2018”, shkruan Veliaj në twitter.
Juria ndërkombëtare e këtij konkursi njeh krijimin, rikuperimin dhe përmirësimin e hapësirave publike dhe vlerëson gjendjen e tyre si një tregues i shëndetit demokratik të qyteteve.
Një vit më parë sheshi “Skënderbej”, vendi simbol i shqiptarëve, u hap për publikun duke shfaqur një pamje krejtësisht të re. Sheshi “Skënderbej”, në mënyrë simbolike, për gurët me të cilët është ndërtuar dhe pemët me të cilat është gjelbëruar, përfaqëson të gjitha trojet shqipfolëse.