Shkëlqim Çela fiton çmimin “Kadare 2016” për prozën më të mirë shqipe

kadare-2016-640x905

Shkrimtari Shkëlqim Çela është fituesi i çmimit të letërsisë “Kadare” për vitin 2016. Ky çmim jepet çdo vit nga fondacioni “Mapo” për të mbështetur letërsinë shqiptare dhe këtë herë iu akordua Çelës për librin me novela “Embriologji”.

Me motivacionin “Me një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë me një individualitet që i krijon këtij autori një hyrje në letrat shqipe”, libri u përzgjodh mes 33 krijimeve të tjera në garë.

Për shkrimtarin vlerësimi me këtë çmim është edhe më i rëndësishëm për faktin, se siç shprehet ai, “brezi i tij ëndërronte të shkruante si Kadareja”.  Sipas autorit novelat fituese janë një kthim në vetvete dhe një analizë e njeriut shqiptar.

“Janë një linjë retrospektive, ku shkohet pas në kohë, ndaj edhe emri embriologji kap tre faza në jetën e njeriut, fëmijërinë, rininë dhe pleqërinë, që krahasohen me shkallët e zhvillimit të specieve”, tha Shkëlqim Çela.

Midis pretendentëve kryesorë për këtë çmim ishin edhe shkrimtarët Vera Bekteshi me “Ora me rërë”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar” etj.

Në konkurs morën pjesë 33 krijime, ndërsa çmimi u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës organizuar në datat 27-29 maj nga Fondacioni “Mapo” në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës. Juria përbëhej nga shkrimtarë dhe kritikë si Diana Çuli, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Ylljet Aliçka, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela të cilën votuan 4 për Çelën dhe 3 për Bekteshin.

Çmimi i mundëson fituesit botimin e librit nga “Mapo” dhe një shumë prej 10 mijë eurosh. Ceremonia e dorëzimit të çmimi do të mbahet së shpejti në Tiranë.

Shkrimtari Shkëlqim Çela është autor i një sërë librash në prozë e poezi si “Mëmëdhembje” (përmbledhje me tregime), “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore” (përmbledhje me poezi), “Këmbë qeni” (poezi), “Tuneli i dhëndurëve” (tregime), “Ishulli Ruzvelt” (novela), “Nga ngjyrë e pluhurit dukesh si hëna” (poezi). Çela, i cili prej vitesh jeton në SHBA, dallohet për stilin emocional, kujtesën dhe lidhjen e shkrimeve të tij me origjinën.

Pin It