Shqipëria, BE: Drejtësia, kusht për negociatat

Keshilli-i-Sigurimit

Për herë të parë, Këshilli i BE-së në nivel të ministrave të përgjithshëm fton Komisionin Europian për të raportuar “në mënyrë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse mbi progresin e Shqipërisë”, për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, “krahas raportit të 2016-s”.

Konkluzionet e Këshillit mbi vendet e zgjerimit lënë hapësirë kështu, që raporti vlerësues i ekzekutivit europian të mund të paraqitet edhe përpara vjeshtës së vitit të ardhshëm.

Dokumenti përsërit përfundimet e qershorit 2014 dhe gjetjet e publikuara një muaj më parë nga Komisioni, duke mirëpritur “progresin e qëndrueshëm në trajtimin e 5 prioriteteve kyçe”, veçanërisht mbi reformën e Administratës Publike dhe përgatitjet për reformën tërësore në sistemin e drejtësisë, por thekson “nevojën për të siguruar zbatim të plotë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës” mbi to.

Për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, Këshilli i BE-së përsërit “rëndësinë kyçe të reformës gjyqësore”, duke kërkuar “më shumë përpjekje, në veçanti për miratimin e paketës së reformës në drejtësi, si dhe progres të mëtejshëm në krijimin e gjurmëve të forta të provave për hetimet proaktive, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare në të gjitha nivelet, përsa i takon luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, përfshirë ndaj armëve dhe trafikut të drogës”.

Gjithashtu “Këshilli pret me padurim miratimin dhe zbatimin e ligjit mbi përjashtimin e zyrtarëve publikë” që kanë kryer vepra penale, si dhe konsideron me “rëndësi jetike” për ecurinë e vendit drejt BE-së “dialogun e qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës” për reformat e integrimit europian.

Shqipëria lavdërohet për “angazhim konstruktiv në rajon” dhe përshtatjen e plotë të saj me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Vendi inkurajohet për vazhdimin e reformës ekonomike, të luftës ndaj informalitetit të lartë dhe përmirësimin e klimës për bizneset dhe investimet.

Konkluzionet e 28 ministrave europianë, që pritet të konfirmohen si zakonisht nga Samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive, përsërisin edhe nevojën për ligje efektive mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e politikave kundër diskriminimit, përfshirë për minoritetet dhe të drejtat e pronës.

Përgatiti: Arta TOZAJ

/ Top Channel

Pin It